Kritikat e Shakohoxhës për tifozët: Më mirë shikojeni në shtëpi, nuk jeni në sallë operash

Shqipëria ka humbur me rezultatin 0-2 ndaj Francës në takimin e fundit të kualifikueseve të Europianit. Pikërisht në “Air Albania”, atje ku u inagurua edhe stadiumi i ri, megjithëse jo me shijen e mirë të rezultatit.

Emocione të papërshkrueshme janë dhuruar para ndeshjes dhe gjatë himnit, por jehona dhe oshëtimi i zërit u venit disi pas golit të shpejtë nga Toliso në minutën e 8. Shumë kritika ka pasur për tifozët nga ana e komentatorit dhe gazetarit të njohur, Dritan Shakohoxha, gjatë transmetimit të ndeshjes në “Supersport”.

“Nuk e kuptoj këtë qetësi të madhe të tifozëve. Ata kanë ardhur këtu për të mbështetur Kombëtaren, por për hir të së vërtetës nuk po e bëjnë. Kjo nuk është një sallë për opera apo komedi, që të reagosh vetëm në një moment kulminant të një batute. Të kishte një biletë kundër Francës ishte fat, pasi kishte shumë interesim të madh. Përveç tifogrupeve, pjesa tjetër ndoshta duhej që ta shihte më mirë në shtëpi ndeshjen, pasi këtu, nuk po bëjnë zhurmën e duhur”, ka thënë mes të tjerave në komentim Shakohoxha. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *