Kritika për Sarrin: Si mund të përfundojë në stol një lojtar që shënon tripletë?

Mauricio Sarri është një trajner shumë i mirë dhe i veçantë. Italiani i Çelsit preferon një futboll të bukur, argëtues dhe sulmues, por çdokush ka dhe pikat e tij të dobëta. Defekti i Sarrit është rotacioni, trajneri nuk e preferon dhe zgjedh t’i besojë një formacioni. Kjo gjë shton vështirësitë e lojtarëve të tjerë, të cilët e kanë të vështirë të hyjnë direkt në mekanizmat e lojës së tij. Madje, edhe kur arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë, nuk mjafton dhe ndeshjen tjetër mund të përfundojnë përsëri në stol, ose tribunë.

Një gjë e tillë po i ndodh dhe mesfushorit të talentuar, Ruben Loftus Çik. 21-vjeçari shënoi një tripletë të enjten në Europa League, por ai mund t’i rikthehet stolit në ndeshjen e kampionatit kundër Bërnleit. Piter Krauç ka kritikuar trajnerin e “Bluve të Londrës” për një fakt të tillë dhe thumbon dhe Zhorzhinjon, i cili u ble nga Napoli dhe është kthyer në një titullar të përhershëm të ekipit.

Piter Krauç

Ka luajtur vetëm 33 minuta në kampionat këtë sezon dhe është shumë demoralizuese për lojtarin të mos jetë as në pankinë kundër Bërnleit, pavarësisht se shënoi një tripletë fantastike në Europa League kundër Bate Borisov. Si mund të funksionojë një gjë e tillë? Problemi është që Loftus Çik është një lojtar i ri, i cili vjen nga sektori i të rinjve dhe nga ky fakt nuk merret në konsideratë. Nëse do të ishte një blerje, që ka ardhur te Çelsi për 35 milionë sterlina, sigurisht që do të luante më shumë…”, flet Krauç për “Daily Mail”.

Një tjetër kritikë vjen për Mauricio Sarrin. Glen Hodëll, ish-trajneri i Anglisë, këshillon Loftus Çik të largohet sa më shpejt nga ekipi, nëse vazhdon të mos aktivizohet. “Fakti që Sarri e la gjithë ndeshjen në lojë lojtarin kundër Bate Borisovit, do të thotë që ai nuk është në planet e trajnerit për ndeshjen e kampionatit. Kam frikë për karrierën e djaloshit. Nëse nuk i vjen shpejt mundësia që meriton, bën mirë të përgatisë valixhet dhe të largohet. Ai është një talent dhe besoj se do të ishte një gjë e mirë për të dhe kombëtaren të largohej për të luajtur në ndonjë ekip tjetër”, përfundon Hodëll.

Hodëll gjatë periudhës që drejtonte Anglinë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *