Kritika edhe jashtë fushe, tifozët kryqëzojnë futbollistin e Interit për simbolet fashiste

Kritika të mëdha kanë mbërritur në drejtim të Interit për shkak të asaj humbjeje mbrëmjen e djeshme kundër Barcelonës, duke marrë parasysh edhe faktin se katalanasit luanin pa disa prej yjeve të tyre. Por kritikat kanë shkuar përtej futbollit, teksa një imazh i mbrojtëseve të kërcinjve të mbrojtësit Biraghi ka shkaktuar polemika të mëdha te tifozët. Këta të fundit kanë akuzuar futbollistin zikaltër për simbolet e përdorura në mbrojtëset e tij, të cilat lidhen ngushtë me fashizmin.

Gjithçka është parë pasi lojtari pësoi një dëmtim në pjesën e dytë, ku u vërejt edhe pamja e mbrojtëseve të tij, ku shkruhej në latinisht “vae victis”, që është edhe një shprehje e përdorur së tepërmi nga fashistët. Një shprehje të tillë Biraghi e ka bërë edhe tatuazh në krahërorin e tij, ndërsa në mbrojtëset e tij paraqitej një tjetër simbol i fashizmit. Kjo ka bërë që kritikat të vërshojnë drejt tij, teksa fashizmi shihet si një plagë e së shkuarës italiane./Sport Ekspres/