Kristian Kushta, ka pak Vlorë në Sllovaki!

0

Nëse pyet një vlonjat se cili është Sokol Kushta, do të të shihte me fytyrën e atij që mendon se ose ke pirë ndonjë gotë, ose nuk ke ndjekur futboll ndonjëherë në jetën tënde… Sepse të flasësh për legjendën e Flamurtarit dhe kombëtares është shumë e lehtë.

Një gol, madje, ka hyrë në zemrat e çdo shqiptari, duke heshtur Beogradin, në sfidën Europiane, por Sokoli është gjithashtu shqiptari i vetëm që është përfshirë në një listë të kandidatëve për fitimin e “Topit të Artë” (ndodhi në vitin 1987)…

Nga një Kushta te një tjetër, që sigurisht urimi është ta imitojë legjendën vlonjate. Ka pak Vlorë edhe në Sllovaki, te skuadra e Zemplin Mihalovces, në vend të gjashtë në renditjen e kampionatit. i huazuar nga PAOK-u, nipi i të madhit Sokol Kushta, Kristiani, ka realizuar golin e tretë këtë sezon. Bashkë me të, i huazuar edhe Kristi Qose, që sigurisht do të kthehen në fund të sezonit në Selanik. Kristiani është vetëm 19 vjeç dhe ka mundësi të rritet edhe më shumë.

Fundjavën e shkuar Kushta realizoi në humbjen 1-2 të Zemplinit, duke gjetur golin për herë të tretë në kampionat këtë sezon. U duket pak? Mos harroni që Kushta ka luajtur vetëm 9 herë titullar në kampionat, por ka bërë kërdinë në kupë, 6 gola në 6 ndeshje, duke u ndalur vetëm në gjysmëfinale nga Sllovani i Bratislavës.

Një emër që meriton edhe vëmendjen e Shqipërisë U-21, aq më shumë që trajneri i ri Alban Bushi nuk është se ka alternativa pa fund aty përpara, tani që emra si Latifi, Grezda e Manaj kanë ecur përpara, drejt kombëtares së madhe.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here