Kristi Marku, afrimi i radhës te Flamurtari

0

Mbrojtësi 20-vjeçar ka nënshkruar dje me klubin vlonjat, ku ka bërë edhe prezantimin. Një forcë më shumë për trajnerin Ramadani në repartin e prapavijës

Elton Nika

Drejtuesit e Flamurtarit kishin lënë një derë të hapur për merkaton e dimrit dhe dje ata kanë zyrtarizuar afrimin e radhës. Një ditë pas humbjes në Kupë me Tiranën, në kuadrin e përforcimeve të ekipit, ata kanë prezantuar mbrojtësin Kristi Marku, i cili vjen pas aktivizimit te Budapest Honved në Hungari. Marku e ka nisur karrierën te Teuta dhe luan si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë të sak, kështu që konsiderohet një vlerë e shtuar te Flamurtari, aq më tepër që ka një moshë të re. Me ardhjen e tij rritet ndjeshëm edhe konkurrenca në prapavijë. Fillimisht Marku është aktivizuar me Teutën dhe më pas e ka vazhduar karrierën e tij jashtë vendit. Sezonin 2013-2014 mbrojtësi ka luajtur me Rosengard në Suedi, kurse sezonin e kaluar është aktivizuar në kampionatin hungarez me Budapest Honved, një skuadër e njohur për vlonjatët, pasi në të kaluarën janë ndeshur me të në Kupat e Europës. Duhet theksuar fakti se Kristi Marku është aktivizuar edhe me kombëtaret e moshave, duke nisur nga U-17-a e deri tek U-21-shi. Për këtë arsye afrimi i tij te Flamurtari cilësohet një goditje e rëndësishme.

KONTRATA-PREZANTIMI – Dje Marku ka bërë edhe prezantimin zyrtar në klubin kuqezi, pasi ka firmosur kontratën. Më pas ai ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me skuadrën e re. Nga burime pranë klubit vlonjat mësohet se kontrata e Markut është për 1.5 vjet, ndërkohë që nuk bëhen të ditur termat financiarë.  të kontratës. Eshtë ndjekur e njëjta rrugë si me lojtarët e tjerë, pasi drejtuesit aktualë nuk dëshirojnë të firmosin kontrata vetëm për pak muaj. Trajneri Ramadani, pasi të shohë lojtarin këto ditë në stërvitje, do të vendosë nëse ai do të jetë i gatshëm për të luajtur apo jo. Për momentin ai ka nevojë për qendërmbrojtës, pasi me Tiranën në këtë rol luajti Besnik Krasniqi, i cili ka si rol natyral atë të mbrojtësit të djathtë. Me ardhjen e uruguaianit Lakoste dhe rikthimin e Berishës së dëmtuar dhe më pas edhe të Currit, Marku mund t’i shërbejë stafit teknik më shumë për krahun e majtë të mbrojtjes.

 

Skeda e mbrojtësit

Emri: Kristi Marku

Datëlindja: 13 prill 1995

Vendlindja: Durrës

Pozicioni: Mbrojtës qendre, mbrojtës i majtë

Gjatësia: 1.9 m

Karriera: Teuta, Rosengard, Budapest Honved

 

15 ndeshje

numëron Kristi Marku me ekipet kombëtare të moshave. Ai ka luajtur 8 ndeshje me ekipin U-17, ku ka shënuar edhe një gol, 4 ndeshje me U-19-ën dhe 3 me U-21-shin.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here