Krenaria e Bonuçit, ai që zbriti nga karroca e fituesit për të ecur në këmbë!

Çdokush ngjitet në karrocën e fituesit sa herë i lipset nevoja dhe zbret nga ajo sa herë që ndoshta gjatë rrugës një rrotë mund të prishet… Po kur rruga nuk ka asnjë pengesë? Po kur rrotat ecin për bukuri dhe ku destinacioni duket akoma më i bukur se sa ajo që ke lënë pas? Në atë moment, çdokush do ta kishte vështirë të zbriste dhe të niste të ecte në këmbë drejt finishit.

Nuk është se ishte i tepërt, thjesht donte të provonte diçka ndryshe, të provonte një aventurë të re, të vuante, të sakrifikonte dhe të përjetonte më pas emocionet e mëdha kur nuk je gjithmonë favoriti dhe kur nuk “shtrohet tapeti” i kuq përpara… Leonardo Bonuçi e bëri dhe dje u detyrua të shihte ish-shokët e skuadrës, me të cilët ka ndarë shumë suksese por edhe dhimbje, të ngrinin lart në qiell trofeun e Kupës së Italisë…

Sigurisht, brenda tij mund të jetë ndjerë keq, por jo sepse mund të ishte ai aty duke ngritur atë kupë, por sepse skuadra e tij, Milani, humbi një finale. E megjithatë, kapiteni kuqezi qëndroi stoik, teksa në fund, shkoi poshtë 35 mijë tifozëve të ardhur nga Milano duke takuar edhe njërin prej tyre, pra kapoultrasin e grupimit “Curva Sud”, duke i shtrënguar dorën.

Pikërisht një takim force, një takim për dikë që zbriti nga karroca e fituesit dhe nisi një rrugë në këmbë… Nuk dihet ku do ta çojë, por ai pati guximin ta bënte, edhe pse mund të kishte shkuar të jetonte një pallat të artë, PSG, Mançester Siti, Çelsi e kështu me radhë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *