Kraja paralajmëron ndryshime, pret një “dhuratë” nga Laçi

0

Në prononcimin e dhënë për mediet, trajneri i ri paralajmëron ndryshime në formacionin e Vllaznisë dhe beson shumë te mbijetesa në Superiore

Tekniku i sapo komanduar në krye të dy Vllaznive, A dhe B, Ervis Kraja beson jo pak, në përmbysjen e situatës në favor të shkodranëve. Në prononcimin e dhënë për mediet, teksa paralajmëron ndryshime në të dy formacionet e Vllaznisë, si të enjten në Durrës, Vllaznia B-Orikumi dhe po ashtu të shtunën në “Loro Boriçi”, Vllaznia A-Kukësi, ai beson shumë që të dy Vllaznitë do t’ia dalin, B-ja për të qëndruar në Kategori të Parë dhe A-ja do të mbijetojë në Superiore. Për këtë të dytën nuk mjafton vetëm fitorja ndaj Kukësit, dhe ajo e ndeshjes së fundit me Skënderbeun në transfertë. Por duhet që Kamza të lërë pikë në përballjet e saj. Dhe këtu Kraja beson shumë se forca dhe karakteri i laçianëve për të mundur Kamzën, ndërkohë që në këtë mes, ai ka motivuar publikisht edhe treshen shkodrane që luan te Laçi, Shtubina-Nika-Fangaj për të kontribuar maksimalisht në arritjen e objektivit të fitores.

-Kraja, besoj një detyrë e vështirë për të drejtuar Vllazninë në këto momente?

Po, normalisht, është detyrë e vështirë. Megjithatë, me grupin e punës, me stafin që janë pjesë e Akademisë Vllaznia do të mundohem të bëj më të mirën për këto dy ndeshje të mbetura. Edhe pse është një moment i vështirë, përderisa na lejon matematika, do të bëjmë punën tonë. Do të shfrytëzojmë mundësitë tona dhe të shpresojmë se do të ia dalim me sukses.

-Fakti që keni qenë afër skuadrës si dhe teknikut Gjoka gjatë kësaj periudhe, sa ju ndihmon në kryerjen e detyrës tuaj në krye të Vllaznisë?

-Po, normalisht ndihmesa është e madhe. Jo vetëm tek stafi i Gjokës, unë jam pjesë e strukturës së Vllaznisë në tre vite. Të gjithë lojtarët që janë këtu, them se i njoh në themel. Skuadrën e njoh, shpresojmë që të bëjmë më të mirën. Jo rastësisht, të dy skuadrat janë bashkë sot në stërvitje. Ishte një mendim që të dy Vllaznitë të jenë bashkë. Erdhi momenti, që të dy ekipet të bëjnë stërvitje bashkë. Ua komunikova edhe “çunave”, që sot nuk ka A dhe B, janë të gjithë njëlloj. Nuk kam lider, janë të gjithë punëtorë. Formacionin e Vllaznisë do ta arrijë kush e meriton.

-Matematika e lejon Vllazninë të shpresojë, sa besoj Kraja?

Po, besimi është i madh për vet faktin, se kemi ndeshje në Shkodër. Luajmë me Kukësin dhe motivin do ta kemi 100 përqind, ndërkohë për ata dihet, vendin e dytë e kanë siguruar. Shohim mundësitë tona, pastaj jemi me mendjen tek Kamza-Laçi ku shpresojmë te një rezultat pozitiv i Laçit. Dhe për këtë kam besim të plotë, sepse është një ekip shumë i organizuar. Me këtë rast i çoj mesazh edhe tre shkodranëve që luajnë në këtë ekip që të japin maksimumin e tyre edhe për ekipin tonë.

Çfarë do të ndryshojë Kraja tek skuadra këto ditë?

Nuk është se do të jetë ndonjë ndryshim i madh. Thjesht unë thashë se me pjesën e stafit do të bëjmë maksimumin që të arrijmë me fitore në këtë ndeshje. Djemtë janë punëtorë, do të ketë ndryshime që do ta shikojmë gjatë javës, nuk mund të flasim sot për ndryshimet, kur kemi edhe disa ditë stërvitje dhe dikush mund të dëmtohet.

Ndeshja e parë të enjten ndaj Orikumit…

Po, do të shkojmë me formacion të plotë dhe do t’ia bëjmë “hyzmetin” në maksimum. Një punë e lodhshme gjatë të gjithë vitit te B-ja, duhet të shpërblehet. Them se do të shkojmë për fitore, ta kryejmë ditën e enjte dhe të vazhdojmë t’i marrim ndeshjet me radhë. Edhe ditën e enjte, mund të ketë lojtarë, që kanë luajtur tek A-ja dhe do të luajnë te B-ja, ashtu si edhe përkundrazi që do të ketë lojtarë të B-së, që do të luajnë tek A-ja.

Keni diçka për tifozërinë shkodrane në ndeshjen e ditës së shtunë?

Normalisht që tifozëria është e mërzitur për vet faktin e rezultateve. U bëj thirrje që të vijnë në stadium, edhe pse janë të mërzitur. U bëj thirrje, thjesht sepse matematika na lejon që të shpëtojmë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.