Krahason Ronaldon me rastin e Napolit, vëllai i Insinjes me akuza të forta: Jeni shkatërrimi i futbollit

Një mbrëmje plot polemika ka qenë ajo e djeshmja në kampionatin italian, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë edhe një herë arbitrat e ndeshjeve. Raste të diskutueshme kanë vendosur ndeshjet Juventus-Xhenoa dhe Napoli-Atalanta dhe reagimet për këtë nuk kanë munguar.

Vëllai i kapitenit të Napolit, Marko Insinje ka postuar në rrjetin e tij social një video të momentit kur Ronaldo fiton një penallti në minutën e 96 të takimit për ta kthyer më pas në golin që do i jepte bardhezinjve edhe 3 pikët. Këtë postim e ka shoqëruar me fjalët: “Ku është VAR-i? Ju jeni shkatërrimi i futbollit italian. Arbitrat italianë”. Në këtë postim ka komentuar edhe kapiteni i Xhenoas, Krishito, duke thënë se kjo ishte e shëmtuar, por më pas i ka fshirë fjalët e tij.

Ndërkohë Marko Insinje ka vazhduar sërish, këtë herë me dy raste të ndodhura gjatë ndeshjes së Napolit ndaj Atalantës, ku nuk mund të mungonte ajo ndërhyrje e mbrojtësit Kjaer kundrejt Lorentes, të cilën e ironizon duke thënë se ndoshta ishin duke luajtur rugby. Ky episod do të vendoste shumë në këtë ndeshje, pasi goli i barazimit për bergamaskët erdhi pikërisht nga aksioni i lindur pas këtij momenti aq të përfolur./Sport Ekspres/

https://www.instagram.com/p/B4QjwpyinLh/

https://www.instagram.com/p/B4R0d4CCWgS/