Krahasimi me Balotelin dhe marrëdhënia me Memën, Ngo flet për gjithçka

Sulmuesi i Tiranës, Majkëll Ngo ka qenë një nga lojtarët më të përfolur në Superiore gjatë gjysmës së parë të sezonit, për shkak të sjelljeve të tij në fushën e lojës.

Shtatlarti britanik ka folur sot për “RTSH Sport”, ku ka prekur disa tema që qarkullojnë rreth tij. Marrëdhënia me Memën dhe krahasimi me Balotelin ishin dy pikat ku Ngo u ndalua më tepër.

“Faza përgatitore po shkon mirë, po stërvitemi intensivisht dhe ecuria është pozitive. Tani kemi nevojë të jemi të bashkuar si skuadër dhe të rrisim performancën në ndeshjet e ardhshme”.

Mema – “Kam pasur një raport shumë të mirë kur ai mori drejtimin e Tiranës, por me kalimin e kohës u krijuan diferenca të mëdha. Të kuptosh skemat dhe idetë e lojës, duhet ta njohësh trajnerin. Ndonjëherë gjërat ndryshojnë, por unë dua të theksoj se marrëdhënia me Memën është brilante. Jam i lumtur që e kemi në krye të pankinës”.

Paraqitjet – “E di që jam i aftë të udhëheq skuadrën dhe të luftoj me çdo mbrojtës. Nuk luajta në fillim të kampionatit për shkak dëmtimi, por kur ndiqja ndeshjet, e dija se mund të bëja diferencën në Shqipëri, pasi i di aftësitë e mia.

Sjelljet në fushë – “Unë nuk futem në fushë për të dëmtuar askënd, apo për t’u nervozuar. Jam shumë emocional dhe i motivuar, prandaj përdor grintën dhe ushtroj presion ndaj kundërshtarit. Por nuk bëj ndërhyje me qëllim”.

Krahasimi me Balotelin – “Jo jo, aspak, nuk dua të krahasohem me askënd. Baloteli është Baloteli e unë jam Ngo. Nëse nervozohem në fushë, është thjesht pasion. Dua që Tirana të fitojë sa më shumë, të bëjë më të mirën për Tiranën, pasi nuk kam ardhur nga Anglia për ndonjë gjë tjetër”.

E ardhmja – “Jam pjesë e Tiranës dhe gjërat kanë shkuar për mirë. Tani, dua të punoj fort çdo ditë dhe të luaj sa më shumë për këtë skuadër”,- u shpreh britaniku Ngo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *