Krahasimi ironik me Kombëtaren, Roshi i kthen reston Edi Ramës: Të vetmit që gëzuam shqiptarët

Shqipëria është duke ndjekur masa të rrepta për të parandaluar përhapjen në masë të pandemisë së Koronavirusit. Rastet janë prezente edhe në vendin tonë, ndërsa numri është duke u mbajtur në shifra të ulëta, gjë që synohet të mbetet i tillë edhe në vazhdim për shkak të rregullave të vendosura gjatë këtyre ditëve. Por në lidhje me ndjekjen deri në fund me përpikmëri të masave të marra, kryeministri Edi Rama ka bërë shpesh edhe krahasimin me Koimbëtaren e Shqipërisë, teksa u shpreh: “Të mos bëhemi si Kombëtarja, që ha golat në minutat e fundit, por mban gjithçka mirë në fillim”.

Kjo ka ndezur edhe reagimet e futbollistëve kuqezinj. Pas kapitenit Mërgim Mavraj, i radhës që kundërpërgjigjet është futbollisti fierak Odise Roshi. “Rakëta” e Shqipërisë ka përdorur një foto në rrjetin e tij social në “Instagram” për të përcjellë mesazhin e tij për kreun e qeverisë sonë. Me grupin e Kombëtares pas arritjes së ëndrrës Europian në vitin 2016 së bashku me tifozët kuqezinj, Roshi i kthen reston Ramës. Fjalët e shkruara prej lojtarit flasin qartë: “Të vetmit që gëzuan dhe bënë krenar të gjithë shqiptarët”, duke nënkuptuar kështu se politika kurrë nuk ka arritur të bëjë atë që Kombëtarja ka bërë./Sport Ekspres/