Kosova vë në siklet Kroacinë, por thyhet në fund

Humbje 1-0, në 70 minutat e luajtura sot në Zagreb. Kosova është mundur nga Kroacia, diçka që pritej, duke ditur disnivelin mes dy skuadrave, por gjithsesi Kosova u tregua shumë dinjitoze.

Në Shkodër kishte humbur 6-0, por këtë radhë gjithçka ishte ndryshe. Ndoshta kishte nënvlerësim te Kroacia, ose ndoshta ndalja e ndeshjes dje ua prishi ritmin, aq më shumë që të martën ndeshen me Turqinë.

Ndeshje me ritëm të ulët, Kosova u soll shumë mirë dhe bëri atë që duhej të bënte në një sfidë të tillë, duke luajtur qetësisht, me shumë disiplinë taktike dhe duke ngacmuar sa herë mundej, për të mbajtur larg zonës kroatët.

Asnjë nga yjet e Kroacisë nuk ishte në ditë perfekte, por në minutën e 74-t një kros në zonë nga Modriç gjeti të zbuluar Vidan, i cili me kokë shënoi. Ishte njolla e vetme e ndeshjes për Kosovën, sepse Vida ishte krejtësisht i zbuluar në zonë gjatë ekzekutimit të goditjes së dënimit, diçka e pafalshme, që Kosova e bën në çdo ndeshje, edhe pse trajneri Bunjaki po provon pa fund skema e lojtarë në mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *