Kosova po priste përjashtimin e Bullgarisë, vjen vendimi i UEFA-s pas thirrjeve raciste

Veprime të përsëritura të Bullgarisë dhe që kanë kulmuar në përballjen ndaj Anglisë në Sofje. Madje kjo situatë do të sillte edhe dorëheqjen e presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Në Kosovë po prisnin përjashtimin e kësaj Kombëtare, nisur edhe nga zërat në mediat europiane.

Por UEFA nuk ka marrë një vendim kaq drastik. Kështu dënimi për Bullgarinë është që t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi pa tifozë. Një vendim ky që favorizon më tepër kundërshtarin direkt të Kosovës, Çekinë.

Këta të fundit do të luajnë në transfertë ndaj Bullgarisë dhe do ta kenë më të lehtë objektivin e fitores, pasi nuk do të ketë presionin e tifozëve dhe mbi të gjitha ndaj një Kombëtare që në grupin A është tërësisht pa objektiva. Gjithashtu është gjobitur me 75.000 euro gjobë për thirrjet raciste dhe 10.000 euro për shkak se është urdhëruar të shpalos pankartën “THUAJ JO RACIZMIT”, duke pasur edhe një problem gjatë këndimit të himnit. /Sport Ekspres/