Kosova në “Maksimir”, aty ku nisi përçarja e Jugosllavisë!

0

Historia/ 27 vjet më parë, Dinamo Zagreb-Crvena Zvezda kthehet në “ditë gjykimi” dhe ndarje mes shteteve, me Kosovën që është e fundit që çlirohet nga zinxhirët e Serbisë. Boban, heroi i një kapitulli historik

Speciale nga Anton Cicani

Kosova do të zbresë sot në stadiumit “Maksimir”, në zemër të Zagrebit, për t’u përballur me “vëllezërit” kroatë (ishin tifozët dhe kombi i parë që njohu Pavarësinë e Kosovës), por ky takim do të ketë një simbolikë tepër të veçantë dhe pak rëndësi ka rezultati apo ndeshja… Sepse, në këtë stadium, plot 27 vjet më parë, do të konsumohej “dita e gjykimit”, kur bëhej fjalë vetëm një ndeshje normale futbolli mes Dinamo Zagrebit dhe Crvena Zvezdës…

Sot, Kroacia dhe Kosova janë dy shtete të pavarura, por nuk ishte kështu kur Jugosllavia e madhe i përfshinte, nën trysninë e Serbisë, që edhe sot vazhdon të “pështyjë” helm për një ndarje që erdhi si pasojë e ndryshimit gjeopolitik të pashmangshëm, në përgjigje të represionit.

Kemi thënë që politika nuk duhet të ndërhyjë në futboll, por kjo ndeshje bëri përjashtim. Kjo ndeshje ishte përjashtim. Atëherë, le t’i ngjitemi makinës së kohës dhe të bëjmë një udhëtim në atë ditë maji, viti 1990. Ishte 13 maji dhe bënte shumë “nxehtë”…

Jo për kushtet klimaterike, pasi kjo periudhë quhet pranverë ballkanike, po për tensionin që përshkonte qytetin. Në program, sfida klasike e kampionatit jugosllav të futbollit, Dinamo Zagreb-Crvena Zvezda. Tifozët i drejtoheshin stadiumit, fytyra serioze dhe që të kallnin datën, ndërsa numri i policisë sa vinte dhe rritej. Kjo do të jetë një ditë ku renditja e kampionatit vlen po aq sa një kovë ujë në një oqean… Topi u bë “armë”, kundër skllavërisë.

Gjenerali Tito, që  me të mirat dhe të këqijat kishte ndërtuar Jugosllavinë e bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore, kishte vdekur prej 10 vjetësh. Luhej në “Maksimir” dhe tifozët e të dy skuadrave por edhe shteteve (Kroaci dhe Serbi) përgatiteshin për një rivalitet dhe urrejtje të paprecedentë.

Sigurisht, mes “Bad Blue Boys” (emër i frymëzuar nga në film i vitit 1983 me Shon Pen), ultrasit e Dinamo Zagrebit, dhe Delije (heronjtë), ato të Crvena Zvezdës, nuk rridhte një gjak i mirë. Fitili u ndez që më 19 mars 1989, kur në Beograd, pas ndeshjes Partizan-Dinamo, tifozeritë nisën që të ofendoheshin në distancë, madje me kore shpesh nacionaliste dhe urrejtje.

Zhvillimet politike – Në Kroaci, më 7 maj 1990, ishin zhvilluar zgjedhjet e lira të pas luftës dhe fitorja kishte shkuar për nacionalistët e Tuxhmanit. Futbolli është pasqyrë e shoqërisë dhe ndeshja, disa ditë pas votimit, kthehet në rast për tifozët kroatë që të shfryjnë ambiciet e tyre të pavarësisë kundër simbolit futbollistik të Beogradit: Crvena Zvezda. Kapo ultrasi i Crvena Zvezdës është famëkeqi Zeljko Raznatoviç, që quan bandën e tij Tigrat, ndërsa më vonë do të njihet si Arkani.

Ky “zotëri”, që përfundoi i masakruar në Beograd në vitin 2000, në një intervistë të dhënë më 1994-n, kujton ende atë ditë: “Kisha parashikuar luftën pikërisht pas asaj ndeshje në Zagreb”. Ndoshta sepse ishte vetë ai pjesë e mekanizmit të ushqyer nga ndjenjat false patriotike dhe interesat ilegale, që shkatërroi ish Jugosllavinë në fillim të viteve ’90. Fakti është që Arkan dhe të tijtë, në fillim shkatërruan trenin për Zagreb, më pas prishën çdo gjë i doli përpara deri në stadium. Në stadium, tifozët vendas kroatë i presin me thirrje anti serbe.

Ferri në fushë – Përpara ndeshjes, incidentet e  vogla kishin bërë që të merreshin masa drastike dhe dyfishim i forcave të rendit. 27 mijë spektatorë mbushin stadiumin 1 orë përpara. Shkëndija plas rreth orës 18:00. Tifozët e Crvena Zvezdës, disa qindra, nisin të thyejnë tabelat e reklamave dhe stolat duke ia hedhur tifozëve të Zagrebit, që i kishin hedhur gurë, ndërkohë. Kalojnë rrethimin dhe përleshen duke i rrahur disa tifozë të Dinamo Zagrebit, teksa policia bën sehir. Aty shpërthen indinjata e “Bad Blue Boys”, tifozët e rinj të Dinamos. Zbresin në fushë, teksa disa policë futen t’i mbajnë, por e ka të pamundur. Gura, stola, por edhe leva e sende të ndryshme. Fluturon çdo gjë. Zjarrëfikset mundohen që me zorrën e ujit t’i largojnë, por e kanë të pamundur.

Ndërkohë, ndeshja anullohet zyrtarisht, teksa lojtarët e Dinamos zbresin në fushë. Kaos dhe ferr në fushë, aty ku ishte edhe Zvonimir Boban, vetëm 21 vjeç, ylli dhe kapiteni i Dinamo Zagrebit, që për të mbrojtur një tifoz i turret një polici, duke i thënë “çfarë bëni, po masakroni fëmijë”… Ai përgjigjet “bir k… je edhe ti si të tjerët”.

“Zorro” (kështu e thërrisnin tifozët) humbet toruan dhe e godet me gju në nofull, duke ia thyrë. Pas plot gjysmë ore ankthi, rikthehet qetësia në stadium, me bilancin e më shumë se 100 të plagosurve. Atë natë, tifozët e Crvena Zvezdës arrijnë të lënë stadiumin rreth orës 23:00, me një tren special nisen drejt Beogradit. Ai 13 maj 1990 bën bujë botërore dhe gazetat shkruajnë për përçarje të Jugosllavisë.

Jo më kot më 26 shtator 1990, në sfidëne  parë të turneut të fundit Jugosllavisë së bashkuar, Partizan-Dinamo degjeneron. Tifoz miq, të armatosur, zbresin në fushë dhe nisin manifestimin, duke kërkuar krijimin e federatës kroate dhe zëvendësuar flamurin jugosllav me atë kroat. Më 25 qershor 1991, pas një lufte të përgjakur, Sllovenia dhe Kroaci shpallin Pavarësinë.  Ajo Pavarësi që bëhet një shembull për t’u ndjekur edhe nga Kosova, e cila ende përjeton masakrat serbe, por që sot mund të festojë, sepse aty, në “Maksimir”, u konsumua historia njerëzore…

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image