Kosova i jep lamtumirën Fadil Vokrrit

Janë zhvilluar sot homazhet për legjendën e futbollit shqiptar Fadil Vokrri, presidenti i Federatës së Futbollit në Kosovë, i cili vdiq dje në moshën 57-vjeçare, pas një ataku kardiak. Homazhet nisën në hollin e Kuvendit të Kosovës, me ceremoni shtetërore, ku për rreth dy orë u bënë homazhe nga figurat më të larta shtetërore, kolegë të të ndjerit e dashamirë të shumtë.

Në ceremoninë përkujtimore mbajtën fjalime kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, kryetari i FSHF-së, Armando Duka dhe Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit.

“Është tepër vështirë ta përshkruaj babin tim. Besoj se vepra e tij flet vetë, prandaj më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, për përkrahjen e vazhdueshme, se Fadil Vokrri nuk ishte vetëm i joni, por ishte i gjithë Kosovës. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!” tha Gramoz Vokrri.

Të pranishëm në ceremoni ishin zyrtari i FIFA-s, Zvonimir Boban, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, kryetarë të komunave dhe personalitete të tjera. Edhe zyrtarë serbë kanë ardhur në homazhe për Fadil Vokrrin, ashtu si ish-presidenti i Federatës Serbe Tomisllav Karaxhiç, ashtu edhe nga ish-klubi ku luajti Vokrri, Partizani i Beogradit (presidenti Millorad Vuçevic).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *