Korrupsion, politikë e gjyqe: Kroacia plot halle është në ëndërr

Një çmenduri totale, Kroacia është kthyer në një karnavale gjigante, pa pritur ende të luhet finalja e Kupës së Botës. BleacherReport ka kryer një reportazh nga Kroacia, aty ku gjithçka është ndalur, nuk e ka më njeri mendjen te punët dhe hallet e përditshme, sepse po ndodh diçka magjike.

Gazetari Juraj Vërdoljak, i uebsitit kroat Telesport, thotë: “Ditën pas fitores kundër Anglisë mendoj se gjysma e njerëzve nuk shkoi fare në punë. Dyqanet po mbyllen herët për të parë ndeshjet, është një ndjesi e bukur që ka përfshirë të gjithë. Kroacia është një vend me krizë të thellë ekonomike. Jetesa është e vështirë, ka shumë varfëri dhe shumë njerëz po emigrojnë. Ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit janë edhe më euforikë, është si një mënyrë arratisjeje nga problemet e përditshme”.

Kroacia është dashuruar me heronjtë e vet. Subashiç, i cili është kthyer në një super hero që pret penalltitë vendimtare; Domagoj Vida, një shkëmb në mbrojtje; Manxhukiç, luftëtari i cili mposhti Anglinë me gol në shtesë dhe pagoi birra për gjithë qytezën e tij; Rakitiç, i cili ndaj Anglisë luajti ndeshjen e 71-të sezonale, rekord i vërtetë; mbi të gjithë, Luka Modriç, kapiteni dhe lideri i ekipit.

Pikërisht Modriç është simboli i përçarjes në Kroaci, me shumë tifozë që e kanë akuzuar kapitenin si një bashkëpunëtor të Zdravko Mamiç, bosi i Dinamos së Zagrebit, i cili është në gjyq për akuza të shumta dhe sapo është dënuar me 6.5 vite burg, natyrisht në pritje të apelit. Mamiç tani është në Bosnje-Hercegovinë, ku është strehuar dhe për momentin ka shmangur ekstradimin. Lidhja e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç është famëkeqe, pasi Mamiç financoi fushatën e saj zgjedhore dhe një herë pagoi për festën e ditëlindjes së saj.

Ndërkaq shumë akuza rëndojnë mbi Mamiç dhe dy bien në sy: milionat e përfituara prej tij kur shiti Modriç te Totenhemi në vitin 2008 dhe Lovren te Lioni në 2010. Në gjyq Modriç ndryshoi dëshminë dhe tashmë edhe ai është nën akuzë, me gjyqin që do të nisë pas Botërorit dhe mesfushorin që rrezikon 5 vite burg.

MOSCOW, RUSSIA – JULY 11: Luka Modric of Croatia gestures during the 2018 FIFA World Cup Russia Semi Final match between Croatia and England at Luzhniki Stadium on July 11, 2018 in Moscow, Russia. (Photo by TF-Images/Getty Images)

Edhe drejtori ekzekutiv i Federatës Kroate, Damir Vërbanoviç, është dënuar me 3 vite burg për lidhjet e tij me Mamiç, ndërsa e ka apeluar vendimin. Vërbanoviç në Kroaci shihet si shërbëtori i Mamiç dhe ka shkaktuar zemërimin popullor një foto e presidentes kroate duke festuar në tribunë në një ndeshje të Kroacisë, ndërsa një metër larg saj dukej Vërbanoviç, shenjë se korrupsioni është një hije që qëndron mbi kokat e të gjithëve, duke nisur nga krerët e shtetit.

Këto ngjarje kanë ftohur jo pak njerëz, me kombëtaren që nuk adhurohet më si më parë, ose shihet me dyshim, me frikën se gjithçka është një rrjetë merimange ku futbolli ndërthuret me politikën dhe korrupsionin.

Kroacia feston, por kritikët, mendjeftohtët dhe kundërshtarët e Mamiç me shokë shohin me shqetësim gjithçka po ndodh: Kupa e Botës po prodhon kapital politik për gjithë ata që kanë rrënuar futbollin kroat dhe korrupsioni, akuzat, politizimi i Federatës, të gjitha do të harrohen dhe do të flitet sikur gjithçka është perfekte.

Kroacia nuk e ka për herë të parë këtë sukses, sepse edhe në Botërorin ’98 shkoi deri në gjysmëfinale, ku u mund 2-1 nga Franca vendase. Atëherë ishte një Kroaci që sapo kishte dalë nga lufta, ishte fillimi i një epokë të re në çdo drejtim. Tani, Kroacia nuk është një vend i lumtur dhe njerëzit janë të zhgënjyer. Dy dekada më vonë, ka shumë varfëri e dëshirë për t’u arratisur.

Një nga heronjtë e Botërorit ’98, Davor Shuker, është president federate, por edhe ai është një figurë e njollosur për shkak të lidhjes së fortë me Mamiç. Njerëzit duan më shumë Robert Prosineçkin dhe Zvonimir Bobanin.

Tani Kroacia kërkon mrekullinë, një triumf në Botëror që ndoshta do të shërbente edhe si një fillim i ri për të gjithë. A do të arrijë Kroacia të kthejë faqe për të mirën e vet, jo vetëm në sport, apo thjesht ky Botëror do të jetë një lopë për t’u mjelur nga politikanët dhe drejtuesit e futbollit? Do ta shohim…

CLAIREFONTAINE, FRANCE: French captain and midfielder Didier Deschamps (R) is challenged by Croatian midfielder Aljosa Asanovic 08 July at the Stade de France in Saint-Denis, north of Paris, during the 1998 Soccer World Cup semifinal match between France and Croatia. France won 2-1 and will play against Brazil in its first-ever World Cup final, 12 July at the Stade de France. (ELECTRONIC IMAGE) AFP PHOTO (Photo credit should read GABRIEL BOUYS/AFP/Getty Images)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *