Korçarët në Turqi, tre afrikanë në provë

Me Skënderbeun bashkohen sot një mbrojtës 19-vjeçar, një mesfushor dhe një sulmues, që do të testohen nga Daja. Jashanica dhe Lilaj drejt shitjes

Leonard Trebicka

Korçarët po lëvizin fuqishëm në merkaton dimërore dhe duket se nuk kanë në plan të ndalen. Gjatë fazës përgatitore në Antalia të Turqisë, që fillon sot, priten disa lojtarë, që do të shtojnë radhët e bardhekuqve. Drejtuesit e klubit konfirmojnë se që sot pritet të mbërrijnë në Antalia tre lojtarë afrikanë, të cilët do të jenë në provë për disa ditë. Ata do të vëzhgohen me kujdes nga trajneri Ilir Daja. Drejtori sportiv, Haris Fakiç, ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe për të afruar sa më shumë lojtarë, sidomos nga ata që i shërbejnë të ardhmes së Skënderbeut. Afrikani i parë do të jetë qendërmbrojtës dhe mësohet se është vetëm 19 vjeç, por emri nuk bëhet i ditur. Dy të tjerët janë njëri mesfushor dhe tjetri sulmues, ndërkohë që për të dhënat e tjera do të ketë më shumë informacion pasi ata të bashkohen me ekipin. Tre lojtarë afrikanë, të tre në moshë të re, çka tregon qartë se drejtuesit po mendojnë për të ardhmen, siç kanë bërë gjithë këto vitet e fundit. Kjo është politika e klubit Skënderbeu, që afron vazhdimisht lojtarë të rinj me qëllimin për ti shituar në kampionate të huaja. Kjo politikë ka rezultuar pozitive dhe do të vazhdojë. Nëse këta futbollistë pëlqehen, mund të huazohen në ekipe të tjera.

LARGIMET – Një çështje më vete te korçarët janë shitjet. Prej shumë kohësh po flitet për disa lojtarë, të cilët mund të kalojnë në skuadra të huaja, duke mbushur arkën e klubit. Deri tani ka pasur oferta të shumta, ku dy më të kërkuarit janë Bajram Jashanica dhe Sabien Lilaj. Në adresë të tyre, por jo vetëm, ka kanë mbërritur oferta konkrete nga klube të huaja dhe presidenti Ardjan Takaj po mendohet mirë. Më pranë largimit nga Skënderbeu duket se është mbrojtësi Bajram Jashanica, i cili edhe vetë e ka thënë se në janar do të largohet, por Takaj është ai që vendos. Jo pak oferta ka edhe për Lilaj, lojtari më i mirë i Superligës shqiptare për 2017-ën, që ka rastin më të mirë të kalojë në një klub të huaj. Gjatë qëndrimit në Antalia, presidenti i Skënderbeut do të vendosë përfundimisht për ndonjë shitje. Skënderbeu mund të humbasë ndonjë titullar të rëndësishëm, por njëkohësisht po mendohet edhe për zëvendësuesin e tij, kështu që tifozët korçarë duhet të rrinë të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *