Korabi “prek” qiellin …Gramshi në festë!

0

Festë e jashtëzakonshme në trevën dibrane, aty ku i madh e i vogël, burra, gra dhe fëmijë, krenohen me Korabin e futbollit!

 

Speciale nga Erjon SALIU

 

Korabi në Kategorinë e Parë pas 53 vite pritjeje, ashtu siç thuhet në një banderolë të tifozëve dibranë, që sot festuan titullin kampion në grupin A të Kategorisë së Dytë, ndërkohë që disa ditë më pas do të diskutojnë me Gramshin, kampionin e grupit B, edhe titullin kampion të Kategorisë së Dytë. Një festë që ka zgjatur deri në të gdhirë, me këngë e valle, por edhe një darkë festive në qytetin e Peshkopisë, aty ku bashkohen dy “Dibrat”, aty ku ka festë, deri në orët e para të  mëngjesit, aty ku në stadium shkojnë edhe femra! Tani, në Peshkopi krenohen edhe me futbollin, që ishte harruar dhe ku vitet e fundit Korabi përmendej për dhunë apo për dënime ekstreme, por do të thuhet dikur, sepse Korabi tashmë është një realitet ndryshe. Një realitet i bukur në futbollin shqiptar dhe tashmë ka bërë krenarë të gjithë dibranët dhe jo vetëm. Në Peshkopi ka nisur festa…! Tani synohet edhe titulli kampion që do të jetë me të vërtetë “qershia mbi tortë”….!

HERONJTË – Padyshim që pjesë e historisë, janë gjithmonë heronjtë dhe në Peshkopi “heroi” është një dashamirës, një ish-lojtar, një dibran dhe një prej atyre që e do më shumë se çdo njeri tjetër futbollin. Femi Mziu, një dibran që arriti të bëjë realitet një ëndërr, që ka qëndruar me “zemër të ngrirë”, gjatë gjithë vitit, por që të dielën në mbrëmje, ka festuar më shumë se kushdo tjetër. Sepse ka bërë realitet një ëndërr të tifozerisë por edhe personale, Korabin e riktheu në të Parën, pas plot 52 vitesh ose më shumë se gjysmë shekulli. Por, heronj janë edhe trajnerët, ata që do të mbahen mend gjatë me Erblin Laçin në krye, pa harruar edhe lojtarët si dhe “qershia mbi tortë”, janë ata tifozët, të cilët kanë udhëtuar deri në Patosin e largët, vetëm e vetëm për të mbështetur Korabin dhe duket se ja ka vlejtur kjo sakrificë, sepse të gjithë janë shpërblyer me këtë sukses madhështor!!

TITULLI – Objektivi është realizuar, tashmë ata 10.000 tifozë duan edhe titullin kampion, sepse do të ishte me të vërtetë një sukses i merituar, për një skuadër rekordesh, me një infrastrukturë, ndoshta nga më të mirat në Kategorinë e Dytë. Tashmë do të luhet finalja, pas afro dhjetë ditëve, ku Korabi, Mziu, skuadra dhe tifozëve, do të synojnë që të fitojnë edhe titullin kampion. Festa sapo ka nisur, ambiciet janë të mëdha për Korabin, Mziun dhe dibranët, ëndrra vazhdon…!

 

Investimi në stadium,

rreth 25 milionë

lekë të reja

 

Në Peshkopi, do të nisë puna, nga sa bëhet e ditur do të ketë një investim kolosal. Madje, puna do të nisë herët dhe jo si në vitet e shkuara, me stadiumin dhe infrastrukturën. Plot 25 milionë lekë të reja, ose 250 milionë lekë të vjetra investim, do të vihen në jetë për skuadrën, në mënyrë që edhe në Kategorinë e parë, të përfaqësohet denjësisht dhe me një “kostum” më të ri dhe modern.

 

10.000 TIFOZË

kishte në Peshkopi, në sfidën mes Korabit dhe Albpetrolit, ku skuadra dibrane, matematikisht siguroi ngjitjen, por edhe kreun e Grupit A, duke marrë pjesë në finalen me Gramshin, kryesues të Grupit B.

 

Në qytetin gramshiot, aty ku pas dy viteve rikthehen në të Parën, me ëndrrën Superligë

 

Gramshi, pas dy viteve në të Dytën është rikthyer sërish në të Parën. Merita, padyshim që i takon kryebashkiakut aktual, Dritan Bicit, a ii cili është edhe president i skuadrës prej disa sezoneve. Një njeri që e do futbollin dhe që synon që të ruajë këtë grup dhe duke afruar donatorë apo lojtarë me kualitete, të realizojë edhe ëndrrën më të madhe, atë që duhet Superligë.

DREJTIMI – Gramshi, qysh në fillim të sezonit, iu besua një trajneri të njohur, që ka ekspeirneca në Katgeorinë e Parë, proe dhe në Superligë. Luan metani, mori drejtimin e ekipit dhe që në fillim të garës afroi disa futbollistë që kanë provuar të luajnë edhe në elitë. Me Gramshin, Metani njohu vetëm sukses, madje me një skuadër me kualitete, që  bënin diferencën në çdo fushë, duket se ekipi gramshiot, ka arritur që të sigurojë ngjitjen në të Parën 4-5 javë përpara fundit të garës.

FINANCAT – Gramshi, ka qenë një nga ekipet që s’i ka ndier kurrë problemet financiare, madje në epokën “Bici”, skuadra ka qenë ndër më të paguarat. Në Kategorinë e Dytë, ka bërë diferencën këtë sezon, ndoshta në të dyja grupet. Kontrata apo dhe rroga, në Gramsh të gjithë ndiheshin komodë.

TIFOZËT – Suksesi i skuadrës, ka gëzuar pa masë edhe tifozët gramshiotë, ata të cilët e kanë mbështetur skuadrën e tyre të zemrës. Ndoshta, nuk iu bën shumë përshtypje, pasi vitet e fundit, kanë qenë disa herë në të Parën, por tashmë ata kanë një ëndërr ë ta shohin Gramshin në Superligë. E vështirë, por jo e pamundur, më parë e ka radhën finalja, pasi në Gramsh duan titullin, atë të cilin kur kanë marrë pjesë në një duel me Memaliajn e kanë humbur. Tashmë situata është ndryshe, gramshiotët janë më të fortë.

 

KO

INFRASTRUKTURA

Fusha e Gramshit, apo siç e njohin si stadium “Mislim Koçi”, duket se ka degraduar dhe ndërhyrja në të është e pa shmangshme. Ndaj edhe pritet që të ketë një investim dhe duke qenë se nuk mungon hapësira, të kthehet në një stadium modern, njësoj si skuadrat e Superligës.

 

Finalja në 24 Maj, ndoshta në “Niko Dovana”

 

Ende nuk është vendosur se ku do të zhvillohet finalja mes dy kryesuesve të Grupit A dhe B, Korabit e Gramshit. Data e saj është caktuar, 24 Maj, por ende nuk është caktuar ora dhe vendi. Me shumë gjasa mund të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Megjithatë, së shpejti do të zbardhet edhe vendi ku kjo ndeshje do të luhet.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.