Konventa e Trajnimit, FSHF merr sërish anëtarësimin nga UEFA

Konventa e Trajnimit në UEFA dhe Jira Panel kanë dërguar një raport ku përgëzojnë hapat e futbollit shqiptar në këtë drejtim

Në vitin 1997, organi i pushtetit të futbollit evropian (UEFA) formoi Konventën e Trajnimit për Mirënjohjen Reciproke të Cilësive të Trajnerit. Objektivi është ai për të mbrojtur profesionin e trajnerit dhe për ta bërë më komode rrugën drejt qarkullimit të lirë të trajnerëve të kualifikuar nëpër Europë, në konform me ligjet evropiane.

Brenda dhjetorit 2008, çdo federatë që është anëtare e UEFA-s ka firmosur konventën dhe tani janë të gjitha pjesë të niveleve të ndryshme. Në 2015, një Konventë e azhurnuar – falë së cilës rreth 200 mijë trajnerë të gjithë Europës kanë një kualifikim të aprovuar – u aprovua për të përmbushur nevojat aktuale dhe për të reflektuar zhvillimet në lidhje me trajnerë dhe formacione të trajnerëve në UEFA dhe gjithë Europën.

Në këtë kuadër, dje ka ardhur edhe një lajm mjaft pozitiv për futbollin shqiptar, pasi nga UEFA Jira Panel, e përbërë nga trajnerë ekspertë në botë dhe zhvillon një punë të rëndësishme për të edukuar trajnerë të rinj në gjithë Europën, ka ardhur një dokument me ana të të cilit FSHF njoftohet se paneli Jira i UEFA-s, mbledhur më 30 qershor në Krakovë të Polonisë, ka vlerësuar programin e edukimit të trajnerit zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, duke e konsideruar mjaft të kënaqshme punën e kryer me leksionet dhe edukimin e trajnerëve të rinj. Procedura e Jira-s parashikon që çdo tre vjet të ketë një vlerësim të të gjitha federatave dhe Shqipërisë i është rinovuar anëtarësimi në Konventën e Trajnimit, pas punës së mirë që ka kryer në 3 vitet e fundit, një lajm që pritej me ankth në Shqipëri.

Në letrën që i është drejtuar sekretarit Ilir Shulku evidentohet puna e mirë e bërë nga FSHF, teksa një punë të rëndësishme në sektorin e trajnimit ka pasur edhe Alban Tafaj. “Paneli ka pasur parasysh vlerësimin pozitiv të programit të edukimit nga Federata juaj, duke konfirmuar në këtë mënyrë anëtarësimin tuaj. Për të mbajtur lart cilësinë e Konventës, rivlerësimi i federatave bëhet çdo tre vjet. Ju përgëzojmë për punën e shkëlqyer që keni kryer në fdushën e edukimit të trajnerëve”, shkruan ndër të tjera Frenk Ludolf, kryetari i Shërbimeve të Edukimit të Futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *