Kontrata e re, trajneri Daja firmos pas CAS-it

Trajneri i Skënderbeut ka nisur pushimet. Javën e ardhshme, pasi të jepet edhe vendimi i CAS-it, do të firmosë kontratën e re me Skënderbeun

Leonard Trebicka

Ilir Daja do të firmosë javën e ardhshme për Skënderbeun. Trajneri kryeqytetas e ka pohuar më parë se kontrata e re është formalitet dhe nuk mendon aspak për këtë çështje. Gazeta mëson se presidenti Ardjan Takaj dhe trajneri Ilir Daja do të jenë së bashku për të zyrtarizuar firmën mesjavën e ardhshme. Gjithçka ka bëjë me vendimin që do të marrë CAS-i në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në Champions League. Në rast se përgjigja do të jetë pozitive për bardhekuqtë, trajneri Daja do të hedhë menjëherë të zezën mbi të bardhë. “Pa diskutim që do ta bëj një gjë të tillë, nuk ka asnjë mëdyshje për këtë,” – është shprehur dje trajneri i Skënderbeut. Pas firmës në kontratë, Daja do të bisedojë sërish me presidentin Takaj mbi emrat e merkatos së verës. Në këto kushte, duhen pritur edhe disa ditë për çështjen e kontratës së trajnerit. Firma e tij do të jetë e para te Skënderbeu, ndërsa më pas do të firmosin me radhë lojtarët pa kontratë dhe pastaj do të vendoset për merkaton, për përforcimet e Skënderbeut. Trajneri Daja erdhi në krye të korçarëve në janar të vitit 2017 dhe me të në krye skuadra ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në sezonin e fundit, ku fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe kaloi 4 ture për të shkuar deri në fazën e grupeve të Europa League. Nuk ka asnjë arsye që trajneri Daja të mos vazhdojë punën te Skënderbeu, por gjithçka varet nga vendimi i CAS-it, që shpresohet të jetë pozitiv.

PUSHIMET – Të gjithë futbollistët e Skënderbeut kanë filluar pushimet, që janë parashikuar të zgjasin deri më 10 qershor, gjithmonë nëse Skënderbeu luan në Champions League. Të njëjtën gjë ka bërë që dje edhe trajneri Ilir Daja, i cili mezi e priste këtë periudhë, pas lodhjes së madhe të sezonit të gjatë. Dje pasdite ai ka mbërritur në Vlorë, ku do të qëndrojë për disa ditë, bashkë me familjen e tij. Pas Vlorës, trajneri Daja pritet të udhëtojë drejt Greqisë, ku do të kalojë disa ditë të tjera pushimi. Por janë pushime të shkurtra për trajnerin e Skënderbeut. Daja-Skënderbeu duket tashmë një binom i pandarë dhe nuk ka si të jetë ndryshe, duke pasur parasysh suksesin e sezonit që sapo përfundoi.  

LOJTARËT – Një pjesë e mirë e titullarëve të Skënderbeut tashmë janë me pushime jashtë vendit. Vetëm kosovarët janë ata që nuk e tradhtojnë vendin e tyre, ndoshta për shkak të faktit që qëndrojnë shumë kohë larg familjes. Të huajt tashmë kanë mbërritur pranë familjeve të tyre, Xhejms në Nigeri, Nimaga në Mali, Soue në Gambia dhe Radas në Kroaci. Kurse Lilaj, Gavazaj dhe Aliti janë ende në aktivitet, sepse janë të angazhuar me Kombëtaren. Edhe ata, pas përfundimit të grumbullimit me ekipin kombëtar, do të fillojnë pushimet. Nëse Skënderbeu rikthehet në fushë më 10 qershor, pushimet do të jenë të shkurtra, por ndoshta Gavazaj, Lilaj dhe Aliti do të marrin disa ditë më shumë leje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *