Kontrata anormale e Allës, zgjidhja vetëm në FIFA

0

Me shumë mundësi çështja Alla do të përfundojë në FIFA, sepse FSHF kontratën e tij e konsideron normale, por a është e tillë?

Kontrata e Albi Allës është në posedim të “Sport Ekspres” dhe tashmë është e qartë që lojtari e ka firmosur kontratën, ku dhe bëhet e ditur se pjesë e saj është klauzola e cila e mban të lidhur me klubin e Kukësit dhe për Champions League. Në krahun tjetër, menaxheri i tij bëri të qartë se nuk do të zbatohen këto pika dhe lojtari i tij është i lirë, pasi ajo klauzolë nuk është e ligjshme. Ajo që bie në sy është dhe përpilimi jo shumë i saktë i kontratës pasi Champions League veçohet nga termi “kupat e Europës”, megjithatë kjo kalon në plan të dytë. Në këtë kopje të kontratës është e sqaruar dhe pika nëse lojtari nuk kthehet, ku parashikohet një dëmshpërblim praj 500.000 eurosh, edhe pse kontrata e tij ka mbaruar.

Kontrata Alla

Një luftë e hapur që duket se do të marrë zgjidhje vetëm në FIFA, sepse FSHF i bie shkurt: kontratat e tilla lejohen, përderisa kanë rënë dakord palët! Problemi është se në momentin që skuadra garanton kualifikimin në kompeticionet europiane, teorikisht lojtari firmos një kontratë të re pa afat përfundimi, pra digjet një dritare në merkato. Edhe pse është e sqaruar shumë qartë se kontrata përfundon në fund të kalendarit sezonal të FSHF, në pikën pasardhëse shkruhet që kontrata vazhdon për kupat e Europës, pra do të kemi një kontratë të re në varësi të ecurisë në kupat e Europës. Lojtari e ka firmosur një kontratë të tillë dhe tashmë çështja duket e destinuar të përfundojë në FIFA për t’u zgjidhur.

Ja dy pikat e para të kontratës në lidhje me klauzolën e kohëzgjatjes së kontratës së Allës.   

KONTRADIKTA – Në kontratën e firmosur nga Alla pika i) dhe ii) në dukje duken të kundërta dhe kontradiktore. Nëse në pikën e parë bëhet e qartë se kontrata është 1-vjeçare dhe përfundon në fund të sezonit kalendarik, pika e dytë thotë që lojtari është nën kontratë edhe për kupat e Europës, pra lojtari në teori ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi të ri menjëherë pas përfundimit të së parës. Afati i përfundimit të kontratës së verës? Nga një muaj e tutje, sepse në futboll asgjë nuk është e pamundur dhe Kukësi ka shanset e veta sportive për të shkuar larg në kompeticionet ndërkombëtare për klube.

KUR MBYLLET KONTRATA? – Sipas kontratës, ajo lidhet për një sezon futbollistik, pra pas 1 korrikut deri më 30 qershor, edhe pse shpesh klubet tona abuzojnë, duke firmosur deri më 31 maj. Sezoni futbollistik fillon në datën zyrtare të shpallur nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe mbaron në datën zyrtare të përfundimit të sezonit të shpallur.

  1. ii) Lojtari pranon dhe merr përsipër se do të vazhdojë të luajë me të njëjtat kushte dhe në rastin e zgjatjes së afatit të sezonit të futbollit nga FSHF dhe/ose kualifikimit të klubit në kupat e Europës ose në Champions League. Në këto raste kontrata zgjatet automatikisht, pa limit, një absurditet më vete. Në rast se lojtari nuk paraqitet pranë klubit për të marrë pjesë në kupat e Europës apo Champions League, Alla duhet t’i paguajë klubit deri në 500.000 euro brenda 30 ditësh nga kërkesa shkresore ose verbale të bëra nga klubi dhe  për çdo ditë vonesë lojtari deklaron se do të paguajnë penalitet prej 0.5% të shumës totale. Lojtari deklaron se nëse ai nuk kryen pagesën, kjo do të përbëjë kusht që FSHF, UEFA dhe FIFA të mos e lejojë lojtarin të transferohet në ekipe të tjera vendase dhe të huaja.

 

Kontrata “tip” dhe

absurditetet e saj

Ka kontrata 1-vjeçare, 1+1, disa-vjeçare, me klauzola të ndryshme monetare apo edhe siç ndodh në Spanjë me të drejtë që një lojtar i huazuar të mos luajë kundër ekipin që ka kartonin e tij. Ecuria e klubeve shqiptare në kupat e Europës le të themi që s’ka qenë premtuese dhe maksimumi i ndeshjeve që zhvilloheshin në verë në kompeticionet ndërkombëtare rrallë herë i arrinte katër. Pjesëmarrja në Europë ishte një burim përfitimi, por asnjëherë nuk shiheshin fitime më të mëdha nga kalimi i tureve, ose më saktë nuk mendoheshin. Me kalimin e viteve situata po ndryshon, fatmirësisht për mirë, kemi një skuadër si Kukësi që ka kaluar katër ture, kemi dhe një skuadër si Skënderbeu që ka provuar grupet e Europa League-s. Normalisht që besimi reciprok si nga klubi dhe lojtarët nuk është maksimal, çka bën që pjesa më e madhe e kontratave të jenë minimale, një-vjeçare. Mes shumë nenesh që mund të ketë kontrata, ndër të rrallat vende në botë, në Shqipëri ndodh që ka dhe nënpika për një zgjatje të kontratës, por pa një datë përfundimi. Rasti i Allës në dukje mund të jetë i lehtë për t’u gjykuar, pasi përderisa ka hedhur të zezën mbi të bardhë ka qenë dakord, por sa e drejtë është kjo dhe sa i detyruar është lojtari për të zbatuar kontratën? Çështja do të shkojë në FIFA dhe ky është rasti i parë në këtë lloj në Shqipëri. Gjasat janë që i fituar të dalë lojtari, kjo për disa arsye. Së pari, UEFA ka paraqitur një model kontrate sipas së cilës duhet të jenë të ngjashme të gjitha kontratat që do të paraqiten nga klubet. Modeli i kësaj kontrate e përjashton një pikë të klauzolës së zgjatjes për kupat e Europës, sepse kontrata e një sezoni nuk mund të mbartë detyrime për 1 korrik e tutje, kur nis sezoni i ri. Së dyti, kontrata është e vlefshme për kupat e Europës dhe për kampionat jo, po sikur skuadra pjesëmarrëse në kompeticion të arrijë në grupe, po në kampionat a do të ketë të drejtë lojtari të luajë pa një kontratë ekzistuese? Së treti, këto lloj klauzolash aplikohen VETËM në Shqipëri, pasi në asnjë vend tjetër të botës, ose për të qenë i saktë, në asnjë kampionat prestigjioz apo serioz nuk njihen.

PRECEDENTI – Kukësi ka plot pesë vite që bën mirë në kampionatin shqiptar, po ashtu dhe në kupat e Europës dhe kjo lloj kontrate nuk është një prodhim kuksian. Ka plot 20 vite që kjo lloj klauzole qarkullon në Shqipëri. Të gjitha klubet shqiptare e aplikojnë këtë lloj kontrate tip. Të gjitha skuadrat pretendente që mund të arrijnë kupat e Europës nënshkruajnë të tilla kontrata, me arsyen e qartë: që skuadra të mos shkrihet në fund të sezonit. Pikërisht nga kjo arsye lindi dhe detyrimi që shtyu në krijimin e një kontrate me një klauzolë të tillë. E ligjshme apo jo? FSHF e pranon dhe është një tjetër çështje. FIFA dhe UEFA njohin fundin e sezonit datën 30 qershor. Më tej duhet një kontratë e re. Pikërisht këtu del një tjetër problematikë. Nëse një lojtarit i përfundon kontrata në 30 qershor dhe me një klauzolë të tillë ai detyrimisht do të nënshkruante një të re, por me një detaj të vogël që nuk kuptohet, pa një datë përfundimi të kësaj kontrate. Në këtë mënyrë lojtari djeg një dritare për t’u transferuar diku tjetër sepse nuk lejohen më shumë se dy transferime në një sezon futbollisitik. Edhe nëse ndodh që futbollisti të transferohet në një tjetër skuadër dhe ka luajtur në kupat e Europës, përveç se nuk ka të drejtë të luaj me klubin e ri të kupat e Europës, në merkaton e janarit nuk ka të drejtë të ndërroj skuadër. Një kontratë me një klauzolë “shqiptarshe”, që ka në vetvete shumë pikëpyetje. Kukësi nuk është aspak fajtor që i aplikon këto kontrata, ashtu si asnjë skuadër tjetër, pasi vetë futbollistët janë të vetëdijshëm për atë që firmosin. Shqipëria është vendi i çudirave dhe këtu nuk bën përjashtim as futbolli.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image