Konte i zhgënjyer për Lukakun, tani i kthehet Moratës

Transferimi i pritshëm i Romelu Lukakut nga Evertoni tek Mançester Junajtid ka qenë një goditje e madhe edhe për trajnerin e Çelsit, Antonio Konte. Momentalisht italiani ndodhet në Sardenjë edhe për disa ditë pushime, por natyrisht që nuk e ka pritur aspak mirë lajmin e ardhur nga Anglia se Lukaku ka vendosur të shkojë tek Junajtid. Konte vendosi tub dëbonte nga ekipi Diego Kostën vetëm për faktin se priste në ekip Lukakun. Por zhvillimet e fundit në ishujt britanikë e kanë vënë në vështirësi të mëdha trajnerin e Çelsit.

Për të ka disa alternativa. Së pari, të rikthejë paqen me Diego Kostën, ndonëse ky duket varianti i fundit në tavolinën e bisedimeve. Vështirë se trajneri italian do të bëjë prapakthehu, aq më shumë me gjithçka ka ndodhur këto javë në shtypin britanik pas publikimit të sms-së nga Diego Kosta, ku njoftonte dëbimin nga Çelsi prej trajnerit Konte. Sipas medieve britanike, mësohet se Çelsi është vënë në lëvizje me urgjencë dhe ka kthyer menjëherë kokën nga Alvaro Morata. Spanjolli është një tjetër nga dëshirat e mëdha të trajnerit Konte. Italiani do të ishte i gatshëm t’i ofronte një vend titullari. Tashmë lëvizja i takon Çelsit. Për më shumë kampionët e Anglisë e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë për të bindur Realin të lërë të lirë lojtarin e vet. Në Madrid janë të qartë, nuk do të lejojnë largimin e Moratës për më pak se 80 milionë euro.

Edhe Beloti në listë – Sakaq, në listën e Kontes është dhe sulmuesi i Torinos dhe i kombëtares italiane, Andrea Beloti. Pas zhurmës së madhe në fillimin e merkato, kuotat e italianit kanë rënë ndjeshëm. Por me zhvillimet e fundit nuk përjashtohet mundësia që Çelsi të marrë sërish në konsideratë afrimin e italianit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *