Konte flet troç: Dua Lukakun, klubi po vonohet! Ikardi dhe Naingolan “out”

Interi do të luajë nesër në orën 13:30 miqësoren e dytë me Antonio Konten në stol. E para u fitua 2-1 kundër Luganos, ndërsa nesër pritet të zhvillohet një duel shumë i bukur.

Trajneri zikaltër ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Mançester Junajtid. Trajneri leçez komenton merkaton e klubit dhe situatën e Romelu Lukakut, objektivit të madh për repartin e sulmit.

Konte flet troç dhe ka një mesazh për drejtuesit e klubit. Koha po kalon dhe ata duhet të nxitojnë. Në fund Ikardi dhe Naingolan. Të dy kanë vetëm një zgjidhje: të largohen dhe të gjejnë një skuadër të re.

LUKAKU – “Nuk jam i frustruar për faktin që nuk ka ardhur ende. Kjo është një fjalë e madhe. E pranoj që më pëlqen, do të ishte shumë i rëndësishëm për ne, por është lojtar i Junajtid. E njoh shumë mirë, e kam kërkuar edhe kur isha pjesë e Çelsit, por e di mirë situatën tonë.”

DREJTUESIT – “Krahasuar me planet e rëna dakord me klubin jemi vonë, si në blerje edhe në largime. E kemi të nevojshme të krijojmë një grup të fortë. Ndajmë të njëjtin vizion me klubin, por prisja që të ishim pak më përpara me lëvizjet. Gjithsesi, mbetem optimist.

JUNAJTID – “Nesër kemi një ndeshje të rëndësishme. E vështirë ta konsiderosh miqësore një përballje të këtij niveli. Shoh përmirësim te skuadra, por është e vështirë të luash pa sulmues.”

IKARDI – “Ai është jashtë projektit tonë. Ky është realiteti në këto momente dhe drejtuesit e klubit kanë qenë të qartë me deklaratat e tyre. Naingolan? Edhe ai nuk bën pjesë në projektin tonë. Sa i përket Perisiç dua të kuptoj nëse mund të luajë aty ku mendoj unë. Ka karakteristika të veçanta, por kemi kohë për të vlerësuar nëse mund të bëjë atë çfarë i kërkoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *