Konkurrenca në Belgjikë dhe konsultimi me Grezdën, Abazaj zbulon pse zgjodhi Osijekun

Kristal Abazaj u transferua ditën e djeshme në Kroaci tek Osijek. Në një intervistë për sajtin zyrtar të klubit, sulmuesi shqiptar foli mbi eksperiencën te Anderlehti dhe arsyet që e shtynë të pranonte ofertën e Osijekut.

“Fillimisht isha shumë i lumtur, pasi është e rrallë që një lojtar nga Superliga shqiptare të transferohet në një klub të famshëm si Anderlehti. U ndjeva i kënaqur dhe e dija që duhet të luftoja shumë për një vend në ekip. Pata fatin e keq që isha i dëmtuar në fillim. Gjithsesi, jam i lumtur që pata mundësinë të isha në një mjedis të tillë, të njohur dhe të vlerësuar në Europë. Ishte një eksperiencë pozitive për mua dhe mësova shumë atje”.

“Tek Anderlehti kishte shumë konkurrencë për çdo pozicion në ekip, po ashtu edhe në sulm. Anderlehti gjithnjë ka qenë kështu, pasi është një ekip që synon titullin ose të paktën renditjen në pjesën e sipërme të tabelës. Gjithsesi konkurrenca të bën të punosh më fortë, që të sigurosh një shans për të treguar veten”.

“Të them të drejtën nuk dija shumë për Osijekun. Gjithsesi kur doli si opsion fillova të pyes për këtë klub që po shfaqte interes për mua. Fola me kolegun tim te Anderlehti, Ivan Santini, i cili më informoi për shumë gjëra. Fola dhe me Eros Grezdën. Ai më tha gjithçka rreth Osijekin. Këto ndikuan në vendimin tim për të pranuar këtë ofertë nga Kroacia”.

“Ndihem mirë. Me aq sa kam parë në stërvitje skuadra është shumë e mirë. Muzafer Ejupi më ka ndihmuar që të përshtatem sa më shpejt dhe të njoh lojtarët. Dua që të luaj sa më shpejt që të jetë mundur. Besoj se kjo do të jetë një lëvizje pozitive për mua dhe për klubin”, përfundoi Abazaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *