KONFERENCA – Rrëfimi i plotë i Murinjos si “djall”

0

Zhoze Murinjo ndodhet prej ditësh në Mançester, por vetëm dje trajneri portugez është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i “Djajve të kuq”. Që në prezantimin e tij të parë tek Junajtid, Murinjo ka shfaqur hapur dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes. Mediat angleze janë marrë gjatë me konferencën e parë për shtyp të portugezit si trajneri i ri i Mançester Junajtidit, ku i kanë numëruar pothuajse çdo fjalë që ai ka thënë në konferencën për shtyp. Ish-trajneri i Çelsit në Premier ka përmendur plot 96 herë fjalën “unë”, gjatë gjithë pyetjeve që i janë drejtuar bnga gazetarët e panumërt ku ai ka shpjeguar gjithçka në lidhje me atë se si e percepton aventurën e re tek Mançester Junajtid.

– Zhoze, tani ndodheni tek Junajtid. Si ndiheni, si “Special One” apo “Happy One”?

– Të them të drejtën nuk di si ta përkufizoj, nuk e di. Dy herët e tjera që kam drejtuar në Premier kam qenë në të njëjtin ekip, Çelsi, ndërsa tani është ndryshe. Jam shkarkuar nga Çelsi, por nuk jam larguar nga Anglia, kam qëndruar po këtu, kam qëndruar po në Premier, do të kem përsëri përballë të njëjtat fytyra, ndaj fillimi i aventurës tek Junajtid nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Thjesht tashmë jam pjesë e një klubi që e kam të vështirë për momentin për ta përkufizuar. Nuk më pëlqejnë diskutimet e njerëzve që thonë “puna e ëndrrave”. Kjo nuk është puna e ëndrrave të mia. Unë jam trajner i Mançester Junajtidit, jam në një vend pune që gjithkush do të dëshironte të ishte. Jam në një punë ku kanë qenë më parë trajnerë të mëdhenj, ndërsa tani më ka qëlluar mua të drejtoj këtë klub dhe unë e di fare mirë se çfarë më pret, përgjegjësitë dhe pritshmëritë. Nga ana tjetër mendoj se e njoh mjaftueshëm historinë e këtij klubi, e di se çfarë presin tifozët prej meje, e pres këtë sfidë të madhe, por që nuk më bën nervoz, sepse në 10 vitet e fundit që kam punuar, kam drejtuar plot klube të mëdhenj. Unë e ndiej veten shumë të përgatitur për këtë punë të re, që ka ardhur në momentin e duhur. Jam shumë i qëndrueshëm dhe shumë i motivuar. Unë jam këtu tek Junajtid, unë desha të isha në këtë klub, jam në Angli, por nëse ka diçka që e kam peng është mungesa e Ligës së Kampioneve. Mançester Junajtid është më i rëndësishëm se vetë unë. Kur them ne, është e natyrshme që klubi është më i madh dhe më i rëndësishëm se unë. Unë do të bëj gjithçka që në korrik të vitit të ardhshëm Mançester Junajtid do të jetë përsëri në Champions.

– Cilat janë objektivat realë për sezonin e ri? Thjesht të garoni, apo të fitoni?

– Kjo varet nga mënyra se si do të përballesh me objektivat. Nuk kam qenë kurrë shumë i mirë për të luajtur me fjalët, për t’u fshehur pas tyre, por të fshihem pas filozofive të ndryshme. Nuk jam përpjekur kurrë të bëhem i mirë në këtë drejtim. Gjithnjë jam treguar agresiv në qasjet e mia, duke marrë përsipër edhe rreziqet që sjell një qasje e tillë. Nëse do të tregohesha pragmatist dhe i sinqertë, duke parë se çfarë ka bërë Junajtid në tri vitet e fundit, do të mjaftohesha me faktin se do të bëjmë gjithçka për të kapur një nga katër vendet e para që do të na garantonin pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Por unë zgjedh të bëhem agresiv dhe të deklaroj se ne duam të fitojmë. Mos më pyesni si do ta bëj, sepse kam mënyrën time. I marr me mend të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me nivelin e lojës. Por çfarë do të thotë të luash bukur, të luash mirë? Është e thjeshtë, të shënosh një gol më shumë se kundërshtari në fushë, të pësosh më pak, të bësh tifozët të ndihen krenarë, të japësh gjithçka për të fituar. Është gjithçka e mbledhur së bashku në të njëjtën kohë. Kjo është qasja ime agresive, dua gjithçka. Është e natyrshme që nuk do të fitojmë gjithçka, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar çdo gjë.

 – A keni diçka për t’i provuar të tjerave pas sezonit të kaluar që ishte një dështim?

– Shikoni, në Premier ka trajnerë që kanë fituar një titull kampion për herë të fundit 10 vjet më parë – i referohet trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger. Ka nga ata që titullin e fundit e kanë fituar vjet. Unë kam fituar titullin e fundit vetëm një vit më parë, jo 10 apo 15 vjet më parë, ndaj nëse unë duhet t’i tregoj dikujt se sa vlej, merreni me mend të tjerët çfarë duhet të bëjnë. Por në realitet unë gjithnjë kam garuar me veten. Ndaj nëse është dikush ndaj të cilit duhet të tregoj se sa vlej, ky jam vetëm unë. Nuk do të punoja kurrë pa sukses. Fare mirë mund të kisha mbajtur një qasje tjetër në këtë konferencë për shtyp, duke luajtur në mbrojtje duke thënë se në tri vitet e fundit vendi më i mirë që kemi arritur ka qenë i katërti. Por kjo gjë nuk shkon me mua, kështu jam gatuar. Kam punuar me klube të mëdhenj edhe më parë. Natyrisht që Mançester Junajtid nga shumë drejtime është ndryshe. Por realiteti është ai që njerëzit janë mësuar vit pas viti pak a shumë me të njëjtën meny, por menyja duhet të ndryshojë, për mirë apo për keq. Sukseset për Junajtidin ishin kthyer në një rutinë prej vitesh, ndaj tri vitet e fundit janë vërtet për t’u harruar. Unë dua që dhe lojtarët t’i harrojnë këto tri vite. Nuk dua që lojtarët e mi të mendojnë se objektivi është vendi i katërt. Sepse ky nuk është objektivi im.

– A do të ketë të tjera ndryshime në ekip?

– Nuk e di, ndoshta po. Mendoj se shumë shpejt do të nënshkruajmë me lojtarin e tretë pas Ibrahimoviç e Baily. Së bashku kemi bërë një analizë të ekipit dhe kemi përcaktuar pikat ku duhet të ndërhyjmë, pais duam t’i japim ekipit cilësinë që duhet, që nevojitet. Kemi vendosur për katër emra. Nga këta të katërt kemi arritur të mbyllim gjithçka me tre prej tyre. Na mungon emri i katërt dhe po punojmë shumë fort për ta gjetur. Rëndësi ka që për emrin e katërt nuk do të presim 31 gushtin. Strategjia jonë është e qartë, por marrim lojtarët që dëshirojmë dhe kjo më kënaq.

– Sa ka ndikuar afrimi i Guardiolës tek Siti në merkaton e Junajtidit?

– Nuk mendoj se duhet të ndalemi në një ekip apo në një trajner të veçantë. Në garë jemi 20 ekipe. Të flasësh për një trajner, për një klub, për një armik është diçka që nuk më pëlqen as në futboll e as në jetë. Nuk mendoj se është e drejtë. në Angli kampionati nuk është një çështje mes dy ekipesh, ndaj nuk ka kuptim të vihen në balancë Junajtid e Siti. Një krahasim i tillë mund të bëjë logjikë në Spanjë apo në Itali, por jo në Premier. Në Premier, nëse e ke mendjen vetëm te një kundërshtar të tjerët do të qeshin me ty, ndaj nuk dua të bëhem qesharak. Unë jam trajneri i Mançester Junajtidit me gjithë respektin për klubet e tjera dhe në veçanti një klub tek i cili kam kaluar 7 vjet – Çelsi – dhe kam ndarë kujtime të paharrueshme me ta dhe tifozët e tyre. Unë jam trajneri i klubit më të madh në Britani dhe dua të përqendrohem vetëm te ky klub.

– Shpesh jeni kritikuar se nuk i jepni shumë hapësira të rinjve. Cila do të jetë qasja juaj tek Junajtid?

– Nuk kam kohën e mjaftueshme për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Për t’iu përgjigjur ndoshta do të duheshin 10 apo më shumë minuta. A e dini ju se sa lojtarë të rinj nga akademitë kam promovuar në karrierën time? 49. A i doni emrat me radhë? Mund t’ua rendis një e nga një të gjithë. Po ju them diçka shumë të rëndësishme. Unë nuk promovoj kurrë lojtar për shkak të nevojës, por i promovoj për shkak të bindjes sime dhe vendimit tim. përjashtim bën vetëm viti i kaluar, kur nuk isha në garë as për titullin, as për vendimin e dytë, të tretë e me radhë. Nga 49 lojtarët që ju thashë, disa janë emra të mëdhenj, disa janë fitues të Ligës së Kampioneve, disa kanë luajtur në kampionatin evropian. 49 lojtarë janë shumë. Nëse i doni emrat, edhe njëherë po ju them se jam gati t’ua bëj me dije.

– Për se u largua Rajan Gigs nga Junajtidi?

– më lini të shpjegohem për këtë rast. Nuk i bëj asnjëherë bisht përgjegjësive të mia. Por nuk ka qenë përgjegjësia ime që Gigs nuk është më pjesë e Junajtidit. Puna që Rajan dëshironte është puna që klubi Mançesteri më ofroi mua. Gigs dëshironte të bëhej trajner i Mançester Junajtidit, por pronarët dhe Uduard ma besuan mua këtë detyrë.

– A keni marrë ndonjë këshillë nga Sër ALeks Ferguson? Keni folur me të?

– Po, kam folur dhe më ka thënë të mbaj me vete një çadër. Nuk e kisha besuar se dje do të binte shi në stërvitje, ndaj këshilla e tij më vlejti vërtet. Këhsilla e dytë që më ka dhënë ka qenë që të sillja me vete një shihe verë nga ajo e mira. Besoj se tani do të kemi shumë raste për të diskutuar së bashku. Ai do të jetë gjithnjë i mirëpritur në stërvitje dhe besoj se do të kemi të gjithë kohën e mjaftueshme për të diskutuar për shumë çështje së bashku. Opinioni i tij është shumë i rëndësishëm për mua. Do të mësoj shumë nga ai dhe të tjerë personalitete të mëdhenj të këtij klubi.

– Çfarë roli do të ketë Uejn Runi në ekip? Ku do të luajë ai?

– Në futboll ka shumë detyra. Në fushën e futbollit gjithashtu ka shumë detyra. Detyra më e vështirë është të gjesh njeriun e duhur që do të fusë topin në rrjetë. Jo rrallë lojtarët ndryshojnë me kalimin e viteve. Ndoshta Uejn Runi nuk është një golashënues race, nuk është një numër 9, por për mua ai kurrë nuk do të jetë një numër 6, nuk do të luajë kurrsesi 50m larg portës kundërshtare. Për mua ai do të jetë një numër 9, 10, një 9 e gjysmë, por kurrë një 6 apo një 8.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image