“Kondogbia dhe të tjerët pështyjnë aty ku kanë ngrënë, Interi mbetet i madh”

Sulmuesi Rei Manaj rrëfehet: Zgjodha Granadan që të rritem, edhe pse më donte Benevento. Nuk jam djalë i keq, por deformohen shkrimet

Pas eksperiencave me Peskarën dhe Pizën, sulmuesi i kombëtares kuqezi, Rej Manaj ka lënë Italinë dhe aktualisht luan me Granadën në Spanjë. Me transferimin në Spanjë, ai ka dashur të “qetësohet” disi, larg zhurmës së medieve italiane. Dhe për më shumë duket se në Spanjë ka gjetur një realitet që beson te ai dhe e vlerëson. Talenti i Rej Manajt nuk vihet në diskutim, por është sjellja e tij, jeta e tij jashtë fushe pika e dobët. Jo më kot në Itali e krahasojnë me Mario Balotelin, për çështjet jashtë futbollit, por sulmuesi nga Lushnja shprehet se “ato që thuhen rreth meje nuk më interesojnë. Unë i lë të flasin”. Në këtë intervistë të gjatë të dhënë për “FCInterNews”, sulmuesi shqiptar që është në pronësi të zikaltërve ka folur duke rrëfyer përshtypje dhe ndjenja që e lidhin me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, që uron të jetë te Interi: Është një klub i madh dhe do të kthehem si lojtar i madh.

Te Granada flasin shumë mirë për ty që kur ke mbërritur. Si po ndihesh aty?

Vërtet shumë mirë, është një skuadër e rëndësishme dhe më kanë këshilluar që të vija. Kam ndjekur këshillat dhe pranova këtë destinacion. Pritja ishte e bukur në një realitet që mund të luajë në La Liga. Shpresojmë që t’ia arrijmë qëllimin duke kapur dy vendet e para, pa pasur nevojë për play-off.

Nuk e keni nisur shpesh titullar, por trajneri ju beson shumë dhe kur dëshiron që të zhbllokojë ndeshjen apo të rikuperojë një disvantazh. Ndjen se ke besimin e trajnerit?

Po, me trajnerin jemi ballafaquar dhe më ka përsëritur se vlerësimi që klubi ka drejt meje është i madh. Konkurrenca në grup është shumë e fortë, ndaj një repart me shumë futbollistë të fortë: njëri ka zbritur në fushë në Champions plot 40 herë, tjetri golashënues i kampionatit. Përpiqem që të stërvitem mirë dhe jam i qetë. Shpresoj që më vonë, në këtë fund sezoni të rëndësishëm për ne, të më jepet mundësia për të treguar vlerat dhe për të kontribuar në këtë ngjitje që po synojmë, me golat e mi.

Cili është objektivi personal për sezonin në vijim?

Kuptova që, pavarësisht disa pengesave që mund të dalin dhe nuk më japin mundësi që të shfaq potencialin, mësoj shumë çdo vit. Tani, këtu te Granada, kam mësuar shumë gjëra, më shumë nga sa dija vitin e shkuar. Objektivi është të përmirësohem dhe kam besim që kjo do të ndodhë.

Odo te Peskara ishte një pengesë?

Jo, nuk kam pasur kurrë probleme me Odon dhe me ambjnetin peskarez. Ndodhi që u largova, me destinacion Pizën, për një proces rritje.

Aty ku gjetët Gatuzon, që në atë rast, për ju tha se më shumë i jepnit rëndësi vetes se sa grupit. Si i përgjigjeni?

Çdo person arsyeton në mënyrën e tij dhe thotë gjërat ashtu si i mendon ai. Personalisht nuk kam asnjë raport negativ me trajnerin, por mendoj se shtypi ka fryrë më shumë nga sa duhet çështjen. Por, nëse Piza bie nga kategoria, faji nuk është i imi. Kjo pasi kur mbërrita unë ishin në një pozicion kritik të renditjes. Unë kam një pjesë të përgjegjësisë, sepse unë vlej një, ashtu si të tjerët.

Por,trajneri aktual i Milanit tha tekstualisht: Kush nuk mendon për grupin të shkojë të luajë në park! Mendon se ke gabuar duke qenë egoist në disa raste, apo ishte një lexim i gabuar i trajnerit drejt teje?

Besoj se nëse do të kishim pasur disa pikë më shumë në renditje, nuk do të kishte thënë kurrë këtë gjë. Sigurisht, ndikoi nervozizmi i momentit, ndoshta për gjëra që kishin ndodhur gjatë javës. Unë nuk mendoj vetëm për veten, do të ishte absurde: mendoni pak nëse në një klub futbolli, 25 lojtarë to ta bënin, se çfarë do të ndodhte?! Objektivat arrihen bashkë.

Pra, si e quan eksperiencën te Piza?

Pozitive, sepse janë të gjithë persona të shkëlqyer: nga tifozët te profesionistët që operojnë në klub, deri te familja e presidentit Korrado. Kanë treguar respekt karshi meje, përveç se përzemërsi.

Nëse do të ktheheshit në Milano në qershor, do të kishit mundësi të përballeshit me të. Një revansh personal ndaj Gatuzos?

Revanshin nuk dua ta marr ndaj Gatuzos. Objektivi, si në çdo derbi, të mund Milanin.

A ju bezdis fakti që ju etiketojnë “bad boy”? Shumë ju krahasojnë me Balotelin…

Nuk më interesojnë ato që thonë të tjerët, janë budalliqe të njerëzit shkuajnë duke u bazuar në gjëra të vogla ose sepse të treguara nga ata që provojnë xhelozi. Pjesa më e madhe e personave që punoj e mendojnë kështu. Disa sjellje mund të bezdisin, por kam respektuar gjithmonë të gjithë. Jeta është kjo dhe duhet të fokusohesh vetëm te puna jote dhe jeta jote, jo te ajo që thuhen për ty, sidomos kur nuk korrespondon me realitetin.

Keni parë ndoshta një shndërrim të informacionit apo raportimit për një episod sa herë jeni ju të përfshirë, ndryshe me atë që ndodh me ndonjë futbollist tjetër?

Sa herë që del emri im, situata fryhet dhe modifikohet. E di që po t’i kishte bërë dikush tjetër, nuk do të ndodhte asgjë. Asnjë polemikë, asnjë problem. Shpesh dikush nuk merr përgjegjësitë, kërkon t’ia kalojë dikujt tjetër dhe ndoshta është më i vjetër se unë në moshë. Ndërsa, unë i mbaj përgjegjësitë e mia, në të mirë dhe në të keq.

Brenda fushës, Mario Baloteli është një futbollist tek i cili frymëzoheni apo ndiheni më pranë, për karakteristika, me të tjerë?

Jo, nuk ndihem pranë askujt. Baloteli është një futbollist i madh, ashtu si janë edhe shumë të tjerë. Duhet të punoj ende shumë për t’iu afruar.

Le të kalojë te Interi. Të shtunën, zikaltërit do të përballen me Beneventon, një skuadër që verën e shkuar ju ka ndjekur me shumë interes. Pse nuk shkuat në Kampanja, duke preferuar Serinë B spanjolle?

Nuk është çështje kategorie apo turneu ku luhet, kur shkohet në huazim, por mundësia për t’u rritur. Këtu ka një projekt dhe zgjodha Spanjën në akord me agjentin tim, Alberto Fontana, por edhe familjen.

Vijoni të ndiqni zikaltërit?

Shumë, bëj tifo për ata që i vogël dhe ndjek me pasion gjithçka që ndodh. Nuk mohoj që kur humbasin jam i trishtuar, sepse është skuadra ime e zemrës.

Pse jetojnë periudha blackout? Dhe si ka mundësi që vuajnë kaq shumë për të dalë?

Të luash te Interi nuk është e lehtë, ka diferencë të madhe në krahasim me çdo skuadër tjetër. Ka një histori që flet vetë dhe futbollistët kanë detyrën që ta mbrojnë traditën zikaltër. Përpiqen gjithmonë të japin më të mirën për këtë kauzë, por disa herë presioni nuk i jep mundësi të luajnë me qetësi. Grupi aktual ka lojtarë të fortë, shpresoj vërtet dhe uroj që të arrihet zona Champions.

Por, disa ish-futbollistë dhe trajnerë thonë që te Interi është një ambient ku mbizotëron kaosi. E vërtetë?

Jo, nuk jam aspak dakord. Kur luajta te Interi jam gjendur mirë, nga Apiano te stafi dhe klubi.

Çfarë mendoni për futbollistët kartoni i të cilëve është ende i Interit dhe flasin keq për këtë klub?

Mendoj se pështynë në pjatën që kanë ngrënë ndoshta edhe një ditë më parë. Ata që thonë këto gjëra nuk janë në lartësinë e një klubi kaq të rëndësishëm.

Si e imagjinoni rikthimin te Interi?

Dua të kthehem në “San Siro” si futbollist i afirmuar. Interi është një klub i madh dhe dua të kthehem si i madh. Dhe, për të treguar se mund t’ia dal zgjodha që të shkoj diku tjetër, në një realitet të vogël, ku mund të gjej vazhdimësi. Eshtë vendim që çdokush do të merrte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *