Kompletohet prapavija, Cungu me arsenal të plotë kundër Luftëtarit

Skuadra e Kukësit mori një fitore shumë të rëndësishme 3-2 përballë Kamzës në “Elbasan Arena”, duke ruajtur ritmin e Partizanit kryesues. Edhe pse me një ekip të “përgjysmuar”, trajneri Cungu arriti të marrë tri pikët pas dy ndeshjeve për t’u harruar përballë Tiranës dhe Teutës.

Në mbrojtje, mungonin kapiteni Shameti dhe Cuculi, dy lojtarë me shumë eksperiencë dhe shumë të rëndësishëm për strategun shkodran. Të dy mbrojtësit munguan për shkak kartonësh në sfidën kundër Kamzës. Megjithatë, tashmë i kanë shlyer dënimet dhe do të jenë të gatshëm për Cungun, që do ta ketë prapavijën e plotë për sfidën kundër Luftëtarit.

Reparti i sulmit duket në një moment shumë të mirë, ku përveç dyshës së afirmuar në Superiore, Shkurtaj dhe Rexhinaldo, edhe Valdet Rama po i afrohet formës së tij më të mirë. Ish-sulmuesi i kombëtares realizoi një gol shumë të bukur përballë Ramës dhe ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *