Komike/ Trajneri la Prishtinën për probleme shëndeti, pas 10 ditësh gati për ekipin e ri

Një rast shumë i veçantë dhe që shkon në kufijtë e komikes vjen nga Kosova, më saktësisht nga ekipi i Prishtinës. Menjëherë pas shkarkimit të trajnerit Josa, këtë klub që ndodhej në një situatë shumë të vështirë në të gjithë drejtimet, ndërsa kishte humbur edhe mbështetjen e tifozëve sa i përket vendimeve të kryesisë, e ka marë Bylbyl Sokoli.

Ky i fundit ka qenë vetëm për pak ditë pjesë e Prishtinës dhe njoftoi menjëherë një konferencë të jashtëzakonshme. “Do të dorëhiqem, kam probleme shëndetësore, nuk ka asgjë tjetër”. Kështu do të shprehej Sokoli, megjithëse menjëherë nisën zërat se ky ishte vetëm një justifikim dhe arsye të tjera sollën shkarkimin.

Nuk kanë kaluar as 10 ditë, ndërsa vetë trajneri pohon për mediat në Kosovë: “Jam rikuperuar pas një trajtimi dy javor. Gjuri im është shëruar, do bëj pak ditë pushim dhe tani jam në bisedime për të marrë Vushtrinë”.

Tërësisht e pakuptueshme sesi mund të vinte një largim i tillë nga Prishtina për një problem të tillë që nuk zgjati për shumë kohë, ndërsa ekipi mund ta drejtonte një tjetër njeri i besuar nga stafi i Sokolit, derisa të rregullohej gjithçka. /Sport Ekspres/