Kombëtarja, Kievo dhe… titulli, “pritjet” e Hoxhës

0

Në fillim kampionati dhe ambiciet për t’u arritur me Partizanin. Më pas… e ardhmja dhe hapi i madh i karrierës, për të kaluar kufirin dhe veshur fanellën e një klubi të madh në një kampionat të huaj. Alban Hoxha i ka të qarta objektivat e tij dhe në një prononcim të dhënë për “Supersport”, ka dashur të sqarojë opinionin publik, tifozët por dhe kundërshtarët se vëmendja e tij është vetëm në fushë… Sigurisht, s’mund të mungonte gjithsesi një mesazh për Xhani de Biazin, duke qenë se sfida e radhës e kombëtares, Itali-Shqipëri, po afron (luhet më 24 mars në “Renzo Barbera” të Palermos). Hoxha është në balotazh me Thomas Strakoshën, i cili gjithashtu te Lacio është duke zhvilluar një sezon super. Gardiani i Partizanit, momentalisht, ka kaluar disa probleme të vogla muskulore, por kjo është diçka normale, të paktë sipas fjalëve të tij: “Çdo lojtar ka probleme të vogla në stërvitje. Askush nuk është gjithmonë mirë. Si kanë thënë edhe anglezët: po nuk pate pak dhimbje në trup, nuk je futbollist. Ndeshja me Italinë? Shpresoj shumë të luaj. Unë jam përgatitur shumë këto kohë si psikologjikisht, ashtu edhe fizikisht. Megjithatë mbetet për tu parë”, tha numri “1” i të kuqve.

Ndërkohë, një tjetër argument është pikërisht merkato dhe zërat e tij, duke qenë se Kievo është interesuar për portierin e Partizanit dhe, madje, sipas burimeve të gazetës tonë, ka arritur edhe akord dhe e ka prenotuar për sezonet në vazhdim. Ja përgjigjja e portierit: “Oferta nga Kievo? Është e vërtetë, edhe unë e kam dëgjuar. Për mua ka pasur oferta edhe më përpara, por asnjëherë nuk kam dalë të jap deklarata publike. Dëshira ime është të flas në momentin kur transferimet mbyllen. Partizanin e lë për një skuadër jashtë dhe këtë e kam thënë gjithmonë. Besoj që tani ka ardhur koha, që edhe unë të transferohem. Kam dhënë shumë në Shqipëri dhe shpresoj që edhe me pak fat ky transferim të realizohet”.

Nga kombëtarja te merkato, por në mes duhet kaluar nga Superliga. Pas suksesit të arritur në fushën e vështirë të Laçit, tashmë do të jetë një tjetër përballje, ajo ndaj Flamurtarit të ish-trajnerit Shpëtim Duro. Një sfidë që do të luhet, përpos kësaj, edhe pa tifozët, ditën e shtunë në “Elbasan Arena”.

“Jemi afruar shumë me kryesuesit, por besoj se kështu do të shkojë: diku do të gabojë njëri dhe diku tjetri. Megjithatë është e rëndësishme të gabojmë sa më pak. Nuk besoj se do të gabojmë këtë ndeshje. Për ne çdo pikë është e rëndësishme tani dhe të gjithë e dinë që një hap fals të çon shumë mbrapa. Kështu që do të jemi të kujdesshëm mbrapa të mos pësojmë gol dhe shpresojmë të shënojmë sa më shpejt. Trajneri Duro ka bërë shumë mirë në Vlorë. Kjo është një thikë me dy presa, sepse ai na njeh mirë neve, por edhe ne ia dimë idetë. Megjithatë, si çdo ekip edhe Flamurtari është i favorizuar. Kemi objektiva të kundërt dhe nuk duhet të gabojmë në asnjë moment”.

Në fund, mungesa e tifozëve: “Të vjen keq, por s’kemi çfarë të bëjmë, jemi të detyruar që të luajmë edhe pa tifozët.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.