Kombëtaret luajnë dhe Milani ndërron trajnerin, ka 3 kandidatë zëvendësimi për Giampaolin

Sirenat e alarmit kanë nisur të bien prej kohësh për Giampaolin, i cili edhe pas fitores së fundit duket se nuk ka arritur t’i bindë drejtuesit e Milanit që të vazhdojë të jetë në krye të stolit të kuqezinjve. Rezultatet mjaft të dobëta të ekipit nën urdhërat e trajnerit italian në këtë sezon kanë bërë që Milani të hedhë sytë nga tregu i trajnerëve të lirë për një aventurë të re.

Media italiane “Ansa” bën të ditur se ekipi nga Milano po mendon të përfitojë nga periudha e pushimeve për Kombëtaret në mënyrë që të sjellë një emër të ri në pankinën e klubit. Në shtëpinë e Milanit përflitet për të marrë Spalleti-n, i cili megjithëse ishte paksa i ftohtë për një kalim si trajner i kuqezinjve, mbart gjithë cilësitë e nevojshme për këtë post, duke nisur që nga përvoja e madhe që zotëron.

Por për të arritur një marrëveshje mes Milanit dhe Spalletit, fillimish duhet të zgjidhë përfundimisht kontratën me Interin. E nëse kjo nuk realizohet, atëherë trajneri i nëntë në këto shtatë sezonet e fundit për Milanin mund të jetë një mes Piolit dhe Ranierit./Sport Ekspres/