Koliçi: Duam tripletën!

0

Portieri: E nisim dhe e përfundojmë si sezonin e kaluar. Duam edhe Kupën. Kukësi ishte zgjedhja më e mirë. Nuk i druhem konkurrencës

Jurgen Zela

Sezoni i kaluar ishte më i miri i karrierës për Enea Koliçin. Numri 1 i portës kuksiane kishte merita të padiskutueshme në ngritjen e trofeut, pasi bëri pritje të mëdha. 31-vjeçari flirtoi edhe me kombëtaren e Shqipërisë, por nuk ia arriti qëllimit të grumbullohej. Koliçi nuk ra në pesimizëm, por punoi dhe luftoi më fort, duke arritur të dhuronte paraqitje brilante edhe në Champions League. Nëse Kukësi kishte shanse për të kaluar, ishte dhe falë tij, pasi priti pa fund në Moldavi, duke e mposhtur vetëm me penallti nga Sherifi i Tiraspolit. Në fund kërkoi edhe një aventurë të re, por nuk arriti të shkëputej nga Kukësi. “Gardiani” bëri prapakthehu me kushte të reja në kontratë dhe shumë të kënaqshme, pasi trefishoi rrogën, nga 1500 euro në 5000 euro në muaj. Koliçi flet për “Sport Ekspres” nga Ohri, aty ku Kukësi po kryen fazën përgatitore.

– Enea, barazim me Teutën e formuar rishtas kur kërkoni titullin kampion, ju shqetëson ky rezultat?

– Nuk ka pse na shqetëson se ishte një ndeshje miqësore. Në takime të tilla rezultati del në plan të dytë. Trajneri ka nevojë të shohë ekipin dhe mënyrën se si sillet në fushën e lojës. Nuk ka prioritet rezultatin. Ne jemi në mes të fazës përgatitore dhe po mundohemi që të arrijmë formën maksimale.

– Si është gjendja momentale e Kukësit?

– Nuk kemi arritur akoma maksimumi, por do të punojmë që të arrijmë formën optimale. Besoj se me punën që po bën stafi teknik do të shfaqim të gjithë potencialin tonë në ndeshjen e Superkupës ndaj Tiranës.

– Po ju, e keni vuajtur faktin që jeni afruar me vonesë me grupin?

– Jo, pasi nuk e kam ndalur stërvitjen individuale edhe gjatë verës. Kam punuar për të mos mbetur mbrapa, ndërsa normalisht tani po arrij aty ku duhet.

– Po punoni me Ermal Nexhipin, keni punuar gjatë gjithë sezonit me Gud Tafajn, ndërsa në Champions me Alfred Osmanin. Me cilin prej trajnerëve ishit më mirë?

– Nuk mund të bëj diferenca, pasi secili ka pasur mënyrën e tij të punës. Me profesor Tafajn kam punuar më gjatë dhe kam shumë respekt për të, është ndër trajnerët më të mirë që kam punuar në karrierë. Osmani ishte me perspektivë, ndërsa Nexhipi është kualitativ.

– Si është e vërteta e problemeve dhe zgjidhjes së tyre me Kukësin?

– Kishim pakënaqësi dhe nuk binim dakord për kontratën. Ata kishin pretendimet e tyre, unë të miat. Në fund, u ulëm, diskutuam dhe ramë dakord. Ishte zgjedhja më e mirë.

– U përfolët se ishit afër Skënderbeut dhe arritët marrëveshjen me to…

– Shumë fjalë janë përfolur. Kur je në merkato normalisht që ke edhe interes, por e rëndësishme është që tashmë jam me Kukësin dhe nuk ka vlerë të mendojmë për të kaluarën.

– Superkupa është prioritet?

– Është objektivi i parë që duhet të arrijmë. Superkupa ka vlerë, pasi është ogur i mirë për fillimin e sezonit. Ne jemi të fiksuar pas tripletës tani.

– Mendoni se do të mbroni titullin, duke parë edhe rritjen e kundërshtarëve?

– Kemi edhe ne ekip të mirë. E vërtetë që kundërshtarët janë forcuar, por ashtu kemi bërë edhe ne. Ne duam ta fillojmë me Superkupën dhe ta mbyllim me titullin kampion. E kemi potencialin e duhur për ta bërë këtë gjë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here