Koha që të thyhet një tabu, Abazaj është për Kombëtare!

Kohët e fundit kemi krijuar hatërmbetje te Kosova: trajneri Kristian Panuçi i ka dërguar ftesë Edon Zhegrovës. Super talent 18-vjeçar i Genkut në Belgjikë, djaloshi nga Kosova po shkëlqen që në debutimin në futbollin profesionist, duke u vënë në siklet pasi duhet të zgjedhë Kosovën apo Shqipërinë.

Kërkojmë talente kudo, shumë mirë, por ndoshta Panuçi duhet ta kuptojë, ashtu si Federata jonë, se në Shqipëri nuk duhet parë më vetëm të Skënderbeu. Realisht, skuadra korçare ka mentalitet Europian dhe lojtarët e saj janë rritur jashtëzakonisht vitet e fundit, por ajo që pamë dje në Gjirokastër ishte sinjali me i qartë se tashmë duhet thyer një tabu dhe në Kombëtare duhet afruar edhe nga një ekip i vogël si Luftëtari. Ndoshta kërkojmë shumë po të përmendim edhe Dejvi Bregun, por të paktën Kristal Abazaj është gati për kuqezinjtë, jo thjesht për miqësore.

Deri vjet thoshim: Abazaj bën gjithçka, por shënon pak. Shtatë gola këtë sezon, një ecuri e pabesueshme për 21-vjeçarin, i cili duket se është rritur përfundimisht, sepse jo vetëm që shënon, por vrapon pa fund, bën mesfushorin dhe sulmuesin, dhuron asiste.

Jo më kot Skënderbeu e ka blere që tani dhe ndoshta do ta shesë jashtë që në verë, në mos më herët.

Në kombëtare kemi shumë zgjedhje nga krahët, nuk është emergjencë afrimi i Abazajt dhe ndoshta nuk ka minuta për të, por e ardhmja ndërtohet që tani dhe nuk duhet të mahnitemi nga Abazaj vetëm kur të shitet në ndonjë kampionat me të pasur dhe të marrë statusin e legjionarit, që historikisht ka bërë diferencën në Kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *