Koha për…mëshirë! Trajneri i ekipit serb: Tifozët shqiptar provokuan, e duam shumë Kosovën

Ndeshja mes Breshias dhe Vojvodinës ishte një miqësore nderi për sëmundjen që po kalon trajneri Mihajloviç, i cili po lufton me jetën. Por paradoksalisht, ndeshjen e nderit për personazhin e tyre të dashur, do të ishin vetë serbët që e ç’nderojnë. Në minutën e 55 të takimit, një grup i tifozëve shqiptarë kanë shpalosur flamurin tonë kombëtar.

Asgjë më tepër, veçse ngjyrave kuqezi dhe me shqiponjë dy krenare. Pa përfshirë Shqipërinë e madhe në të, ndërsa tifozët serbë kanë dalë nga tribuna dhe kanë hyrë në fushë për t’u konfliktuar. Nuk është hera e parë në fakt dhe këtu nuk ka asgjë të re.

Por deklarata e trajnerit të Vojvodinës tregon rrjedhjen dhe çmendurinë e një shteti që nuk po arrin akoma të pranojë realitetin e Kosovës. Pavarësisht të gjithave, e kuptueshme do të ishte sikur këto ide të vinin vetëm nga disa persona.

Megjithatë fjalët e thëna nga trajneri i Vojvodinës, Nenad Lalatoviç, dëshmojnë më së miri se në këto raste, është koha vetëm për të mëshiruar.  Duke i hedhur fajin vetëm shqiptarëve dhe duke e jusitikuar sjelljen e epokës së gurit nga ana e tifozëve serbë, që përsëritet për të disatën herë, me justifikimin e “dashurisë së madhe” për Kosovën.

“Në minutën e 55 disa shqiptarë u ngjitën në një gardh dhe treguan flamurin e Shqipërisë. Sigurisht që kjo i provokoi tifozët tanë. Ata donin ta bënin një provokim të tillë. Tifozët shqiptarë po prisnin që mbështetësit tanë të hipnin mbi gardh dhe pastaj kushedi se çfarë do të ndodhte atje. Asgjë nuk mund të justifikohet, por as të fajësohet, sepse kur e doni aq shumë vendin tuaj si ne Kosovën, ju lëndon”, ka thënë trajneri i Vojvodinës. /Sport Ekspres/