Koci e mbyll me futbollin e luajtur: Pengjet, e ardhmja dhe karriera

Për një futbollist është një moment i vështirë vendimi për ta mbyllur me futbollin e luajtur. Çdo fillim e ka një fund, por në futboll dhe në sportet në përgjithësi vitet e punës janë më të reduktuara se në profesionet e tjera. Edhe për portierin kuksian Ervis Koci ka ardhur momenti për të varur këpucët në gozhdë, apo më saktë dorezat. Në moshën 34-vjeçare, “gardiani” ka vendosur që të zyrtarizojë tërheqjen nga futbollit, teksa në një intervistë për “SportEkspres.com” ai e pohon vendimin e marrë.

Në rrëfimin e tij, Koci tregon momentet e tij më të mira, por në anën tjetër tregon dhe ato ndeshje që janë peng i tij. Falënderime për të gjithë ata që i kanë dhënë besim dhe e kanë mbështetur, por në krahun tjetër ka një respekt të veçantë për presidentin e Kukësit.

Edhe pse me futbollin e luajtur e ka mbyllur, ish-portieri i Kukësit, Besëlidhjes dhe Kastriotit tregon se jeta e tij do të vijojë të jetë e lidhur me fushën e blertë, duke zbuluar dhe postin që do të mbajë në të ardhmen. Me Kukësin, portieri në fjalë ka arritur që të fitojë titullin, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, duke qenë gjithnjë aty për të dhënë kontributin e tij në çdo moment që do të kërkohej.

-Vis, në muajt e fundit ju kemi parë jo aktiv në futboll, mund të themi se e keni mbyllur me futbollin e luajtir?
Po, është e vërtetë që e kam mbyllur me futbollin e luajtur. Prej pak kohësh jam shkëputur nga futbolli aktiv.

-Pse e patë të arsyeshme që ta mbyllnit pikërisht tani?
Ishte momenti i duhur për të varur këpucët në gozhdë. E pash të arsyeshme dhe thash ‘stop’. Çdo fillim e ka një fund dhe për mua ishte momenti që të ndalesha këtu.

-Nga Besëlidhja, te Kastrioti e më pas te Kukësi, si mund ta përshkruani karrierën tuaj?
Në fundin e karrierës të gjithë futbollistët besoj se bëjnë llogaritë e tyre. Mund të them se kam kaluar një karrierë mjaft të mirë. Si në Lezhë ashtu dhe në Krujë kam kaluar mjaft mirë. Kam një respekt të jashtëzakonshme për të dyja këto ekipe, ku kam pasur një periudhë mjaft të suksesshme. Kam dhënë më të mirën time. Më pas erdhi rikthimi në qytetin e lindjes dhe nuk kam shumë fjalë për të thënë, pasi të gjithë e dinë se sa sukses ka pasur skuadra e Kukësit në vitet e fundit.

-Kur u rikthyet te Kukësi e kishit menduar këtë ecuri?
Të tregohem i sinqertë deri në Superiore e kisha menduar dhe kisha shumë besim që do të arrinim, por që do të festonim titullin kampion dhe që do të kishim atë ecuri mbresëlënëse në Kupat e Europës nuk e kisha menduar. Ishte vërtetë diçka që askush nuk do e kishte besuar kur nisi të ndërtohej Kukësi i elitës.

-Duke ditur se keni qenë bashkudhëtar me Kukësin çdo edicion në arenë ndërkombëtare, cilin moment do të veçonit si më të veçantin, për ju dhe skuadrën?
Në Europë kemi vetëm momente të mirë. do të veçoja ndeshjen më të bukur atë ndaj Sarajevos në Bosnje, pasi Halili priti penalltinë, e cila ishte shumë deçizive për kualifikimin tonë në turin tjetër. Ishte një emocion shumë i madh që nuk mund ta përshkruaj.

-Po ndonjë moment të vështirë…
Është paksa e vështirë, por për fatin e keq ishte ai 11-metërsh që humbi Pejiç në ndeshjen me Sherifin. Zhvilluam një takim shumë të mirë dhe meritonim ne të kalonim më tutje, por fati nuk ishte me Kukësin dhe erdhi ai eliminim i pamerituar. Është një nga ndeshjet që e kam jo pak peng.

-Titulli kampion, sa i veçantë ishte që ta çoje në qytetin e lindjes, në shtëpi e thënë ndryshe…
Natyrisht që për çdo futbollist është një ëndërr kur luan me skuadrën e qytetit tënd që të çosh titullin. Fatmirësisht kisha mundësinë ta shijoj këtë kënaqësi që është vërtetë e veçantë.

-Ka pasur Koci ndonjë peng gjatë karrierës?
Është një ndeshje që e kam peng. Luanim ndaj Teutës në Kukës dhe ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2. Gabova në minutën e fundit të ndeshjes dhe nuk arritëm dot që të fitonim. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe pas 3 ditësh do të luanim për Kupë në Durrës. Falënderoj trajnerin Klodian Duro dhe portierin Koliçi që më besuan edhe në ndeshjen e Kupës, pasi pas atij takimi shkuam në finale. Kisha edhe mbështetjen e presidentit dhe shokëve të skuadrës.

-Në gjithë këto vite, kush kë mund të veçosh si një person që do i jesh mirënjohës për përkrahjen që të ka dhënë?
Janë vërtetë shumë. Të gjithë lojtarët që kamë punuar si në të shkuarën ashtu dhe aktualisht te Kukësi më kanë respektuar dhe i kam respektuar. Po ashtu gjej rastin të falënderoj edhe trajnerët që kam pasur, duke nisur që nga Bajko, me të cilin kam punuar tek Besëlidhja e Paulin Ndoj. Te Kastrioti, Ramadan Ndreun dhe Gut Tafajn, me këtë të fundit ishim dhe te Kukësi. Më pas profesor Armando Cungun, të ndierin Dash Gëzdarin, Klodian Duron, Ernest Gjokën, Ermal Nexhipin, Alfred Osmanin, Kujtim Shtama, Efstrat Billa. Të gjithë gëzojnë respektin tim dhe i falënderoj për të gjithë ndihmën e tyre. Nga presidentët nuk mund të mos përmend Safet Gjicin, i cili ka qenë si një prind për mua dhe më ka qëndruar gjithnjë pranë. Është një person që ka bërë shumë si për mua ashtu dhe për qytetin e Kukësit.

-Cilat janë planet për të ardhmen?
Kam mbaruar kursin për trajner dhe besoj se do të jem sërish i angazhuar në botën e futbollit edhe në të ardhmen. Për momentin jam angazhuar me portierët e moshave në Kukës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *