Klubi i përgjigjet Cungut: Vetëm një pagë e padhënë

Drejtuesit e klubit: “Skuadra ka vetëm një rrogë pa marrë, edhe ajo pritet të kalojë brenda pak ditësh”. Për fazën përgatitore dhe objektivat nuk ka asnjë fjalë

Gaspër Marku

Prononcimi i trajnerit Armando Cungu dhënë menjëherë pas ndeshjes miqësore Vllaznia-Kastrioti, ku ndër të tjera theksonte se skuadra e Vllaznisë ka tre muaj pa u paguar, duket se nuk është pritur mirë nga drejtuesit e klubit kuqeblu. Për këtë, përmes një njoftimi zyrtar për mediat, nga ana e klubit shkodran sqarohet se pa u likuiduar është vetëm rroga e muajit maj dhe asgjë më shumë. “Edhe kjo rrogë, tashmë pas miratimit të një shume financiare nga ana e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e tij të fundit, pritet t’u kalojë futbollistëve dhe stafit teknik brenda pak ditësh”, sqarohet konkretisht në këtë njoftim zyrtar të klubit Vllaznia.

Për të njëjtën çështje, klubi kuqeblu shton se: “Sipas udhëzimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit, tek të gjitha ekipet, kontratat janë të nënshkruara për një periudhë gusht-maj, aq sa zgjat sezoni sportiv dhe kështu ka ndodhur edhe te Vllaznia. Pikërisht për këtë arsye, siç ju kemi informuar që prej fillimit të muajit gusht, drejtuesit e klubit kanë mbyllur thuajse plotësisht rinovimin e kontratave të reja me të gjithë futbollistët aktualë të ekipit”, përfundon sqarimi zyrtar nga ana e klubit të futbollit Vllaznia. Deklarata në fjalë kërkon të sqarojë opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë, që nuk bëhet fjalë për tre rroga mujore, por vetëm për një, madje edhe ajo e ardhur si rezultat i disa problemeve burokratike. Për hir të së vërtetës, edhe vete tekniku Cungu, nuk nguroi të shprehë gjatë konferencës për shtyp se nga ana e bashkisë korrektesa e dhënies së rrogave ka qenë OK.

“Jam i bindur se janë të sigurta, janë çështje vonesash, problematikash apo bllokime të llogarive bankare”, tha Cungu fjalë për fjalë në prononcimin e një dite më parë. Por, shqetësimi i tij kishte të bënte më tepër në lidhje me fazën përgatitore, pasi skuadrës, edhe pse i ishte premtuar që mund të udhëtonte drejt Malit të Zi më 9 gusht, një gjë e tillë ndodhi.
ANULOHET MIQËSORJA – Ishte menduar që sot të zhvillohej një miqësore me ekipin e Besëlidhjes së Lezhës, por diçka e tillë nuk do të ndodhë, kjo për shkak të programit stërvitur të ngjeshur që ka pasur ekipi. Stafi teknik ka programuar një seancë të ngarkuar fizike për sot, ndaj nuk do të zhvillohet ndeshja me lezhjanët. Ndërkohë pritet të ketë edhe lëvizje për fazën përgatitore, që ekipi mund të vijojë stërvitjen intensive në Mal të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *