Klubi anglez i beson verbërisht talentit shqiptar, kontrata e re 4-vjeçare mbërrin në tryezën e Dobrës

Brezi i ri i Kombëtares na mbush me shpresë, teksa dita ditës dëgjojmë emrat e futbollistëve shqiptar që  po shkëlqejnë në Europë. Kuqezinjtë po i bëjnë vend vetes së tyre në arenën e futbollit, duke hedhur hapa të duhur në karrierën e tyre. Marash Kumbulla shkëlqen në Serie A me Veronën, Broja debuton me Chelsean, Rey Manaj stërvitet me yjet e Barcelonës ndërsa Vrioni me ata të Juventusit. Padyshim arritje të mëdha dhe që të bëjnë të mendosh se një e ardhme e ndritur i pret përpara.

Por një tjetër lojtar kuqezi që po ndjek rrugën e duhur është edhe Armando Dobra. Lojtari shqiptar është  pjesë e ekipit të Ipswich në Angli, ku ka bërë mjaft mirë në fushën e lojës. Madje kjo i ka sjellë në tryezë  edhe një kontratë të re afatgjatë, pasi klubi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë  prej tij. Me aftësitë që  Dobra ka patjetër që do të jetë një vlerë e shtuar për Ipswich, të cilët përpos kësaj mund të arkëtojnë  edhe të ardhura të konsiderueshme në të ardhmen nga shitja e tij.

Kontrata e lojtarit kuqezi përfundon për pak muaj dhe për kë të arsye skuadra angleze po mendon për rinovimin. Megjithëse klubi i Ipswich ka mundësinë e një zgjatjeje prej 12 muajsh të kontratës, drejtuesit mendojnë ta kenë pjesë të tyre Dobrën për një kohë më të gjatë. Për këtë arsye, siç raportojnë edhe mediat britanike, një kontratë 4-vjeçare do i ofrohet lojtarit 20-vjeçar, duke treguar kështu besimin e madh që qendron te aftësitë e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/