Klube, futbollistë e tifozë: Të gjithë në këmbë për Hamdi Salihin!

Hamdi Salihi luan sot ndeshjen e fundit me Nojshtat, ndërkohë që shkodrani i sulmit e ka njoftuar para pak ditësh diçka të tillë. Reagimet kanë qenë të shumta, teksa në faqe e tij në “Facebook” kanë komentuar futbollistë, drejtues klubesh e trajnerë. Sigurisht nuk mungonte një falënderim nga klubi i Skënderbeut.

“Legjenda Hamdi Salihi i jep sot fund  futbollit të Luajtur. 2 sezone bardhekuq, sa shumë emocione në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Nder dhe krenari që mbajte veshur dhe përfaqësove ngjyrat bardhekuqe… Shembulli perfekt i një lojtari të madh brenda dhe jashtë fushës së blertë. Faleminderit Kampion!”, shkruhet në postimin e korçarëve, që e shoqërojnë me videon e golit të shënuar me roveshatë nga Partizanit.

Gjithashtu edhe Tirana e ka falënderuar sulmuesin shkodran: Hamdi Salihi tërhiqet nga futbolli i luajtur. “Një ikonë e futbollit Shqiptar, i cili për dy vite (2005-2007) mbajti veshur fanellën bardheblu, vendos ti japë sot fund karrierës futbollistike. Mirënjohje dhe falenderime per Hamdi Salihin, për atë çfarë ka dhënë për Tiranen dhe ekipin Kombëtar”.

KOMENTET – “Do mbetesh kampion në fushë dhe jashtë saj, gjithmonë! Faleminderit për të gjitha emocionet që na ke falur!”, shkruan drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu i cili për disa kohë ka punuar edhe si gazetar sportiv.

Bledar Mancaku, mesfushori ofensiv që ka spikatur me Teutën, shkruan: “O Sal vëllai, kampion ke qenë dhe do ngelesh. Shumë respekt!”. Fjalë të ngrohta edhe nga anësori Ermal Barushi: “Modeli më i mirë i një lojtari profesionist. Të mbaj mend vetëm për gjëra të mira në fushën e lojës. Rrallë shprehje mërzi, mbase kur s’të dilnin roveshatat. Model i mirë për brezat, talent i padiskutueshëm. Do mbahesh mënd vetëm për mirë në kampionatin Shqiptar. Respekt kampion!”.

Amarildo Belisha ka provuar të luajë me Salihin te Vllaznia: “Koleg i dashur, miku im. Të uroj sukseset që arrite në fushe t’i arrish në sfidat e reja që të presin. Je sportisti për t’u marrë shembull nga brezat e ri, si nga edukimi, si nga profesionalizmi. Jam i lumtur që patëm mundësi të luajmë dhe të përjetojmë emocione të ndryshme krah njëri-tjetrit dhe gjithë brezit tonë.

Trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi, shkruan: “Kampion, të uroj gjithë të mirat në jetë! Ishe shembulli më i mirë për brezat, e padyshim do jesh edhe në vazhdim. Me plot gojë faleminderit për çka i dhe futbollit, Shkodrës, Shqipërisë, e kudo ku dhe kontribut. Sigurisht do të vinte kjo ditë, se fundja çdo gjë e ka një fillim e një fund, por emri dhe kontributi yt është i paharrueshëm. Do jesh gjithmonë njeriu për t’u marrë shembull. Të uroj gjithë të mirat ty e familjes tënde, mik i mirë Hamdi Salihi”.

Valdrin Rashica, shok skuadre me Salihin te Skënderbeu, shkurtimisht shkruan: “Lojtar edhe person shembullor”. Nga Kosova, fjalë të mira për shkodranin shkruan edhe trajneri i njohur Ismet Munishi: “Të dëshiroj suksese në vazhdimësi. Tash fillon një kapitull i ri, të dëshiroj që të jetë po aq i suksesshëm. Ke qenë shembull si sportist. Do të na mungojnë golat e tu Hamdi”.

Mes komenteve të shumta bie në sy edhe ai i gazetarit Elert Yzeiri: “Sulmuesi prolifik i kohëve moderne, goleadori pa limite dhe kampioni i shoqërisë po var këpucët në gozhdë, duke i dhënë fund një karriere brilante. Hamdi Salihi do të mbahesh mend si një futbollist i madh dhe mik shumë i mirë. Suksese në rrugëtimin e ri që ke nisur!”.

Aksioni i golit që Salihi ka shënuar kundër Norvegjisë

Komentet e tifozëve janë të shumta dhe ne kemi veçuar dy prej tyre. Arlind Hadri shkruan: “Isha 12 vjeç atëherë kur t’i na dhurove këtë gol magjik. ditët ecin e koha ikën, por ai moment është i stampuar në memorien time. Faleminderit për gjithçka që i dhurove shqiptarëve, legjenda e kombëtares sonë. Paç fat KAMPION… Gjakovë, Shqipni”.

Mati Mali është një tjetër tifoz që Salihin e ka ndjekur shumë: “Ti Hamdi je legjendë e futbollit shqiptar. Kam qenë adoleshent kur filloi të më pëlqejë futbolli dhe ti atë kohe luaje me Rapid Vienna dhe në kombëtare. Ke qenë i preferuari im dhe mundohesha të gjeja ndeshje në TV kur luante Rapidi, vetëm sepse aktivizoheshe ti. Plus që ke qenë në formë shumë të mirë. Urime Salihi, faleminderit për emocionet që ju ke dhuruar futbolldashësve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *