Klop: Reali si orë zvicerane, por nuk jemi kot në finale

Trajneri gjerman i Liverpulit nuk ka kursyer batutat dhe ironitë me gazetarët. “Është e habitshme që dy trajnerë që nuk marrin vesh nga taktika e futbollit janë në finalen e Champions!”

E treta e vërteta për Klopin?! Pas dy finaleve evropiane të humbura kundër Bajernit të Mynihut në Champions me Dortmundin dhe kundër Liverpulit në Ligën e Evropës kundër Seviljes, tekniku gjerman kthehet përsëri të konkurrojë në Evropë. Këtë herë përsëri në finalen e Champions, pesë vjet nga humbja me Bajernin në Londër. Dhe ai më shumë se kushdo tjetër shpreson t’i japë fund mallkimit të finaleve, ndonëse e pret një “mal i lartë” për t’u ngjitur. Gjermani është shfaqur optimist para medieve në konferencën e tij për shtyp para finales. Ai nuk ka kursyer batutat me gazetarët, i ka dalë në mbrojtje trajnerit të Realit, Zidan për kritikat e tepruara dhe ka thumbuar të gjithë kritikët e tij në lidhje me aftësitë teknike që zotëron.

Nervozizmi – “Për momentin gjithçka po shkon sipas planit, gjithçka është perfekte. Kemi parë stadiumin, jemi stërvitur, po flas me mediat…”

Reali favorit – “Po, nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar. Reali është një klub elite, por dhe ne jemi një ekip mjaft i mirë. Kemi shumë individualitete të spikatur, por nuk kam ndonjë dëshirë të madhe të bëj krahasime. Kjo është veç një ndeshje futbolli dhe gjithçka mund të ndodhë, pavarësisht nëse është Reali apo Liverpuli favorit. Në 10 ndeshje radhazi kundër Realit mund të humbasim nëntë, por mua më intereson ajo ndeshje që mund të fitojmë.”

Çelsi i finales – “Kjo është një sfidë e madhe për lojtarët, për mua, për të gjithë tek Liverpuli. Duhet të tregohemi solidë në mbrojtje dhe sa më të rrjedhshëm në lojën tonë për të shfrytëzuar mundësitë tona në këtë takim. Kjo është një ndeshje e madhe.”

Salah dhe agjërimi – “Agjërimi, besimi në Zot është diçka private për secilin dhe nuk dua të bëj komente të tepërta. Sa për gjendjen e tij mund ta shihni fare mirë në stërvitje se është në gjendje të shkëlqyer.”

Klop dhe Zidan – “Në çdo rast do të zgjidhja Zidanin. Ka qenë lojtar shumë më i mirë se unë dhe tani është një trajner më i mirë. nuk kam ndonjë kompleks për ta thënë. E thashë dhe më lart, se në një ndeshje të vetme mund të ndodhin shumë gjëra. Ne e respektojmë Realin, por besojmë te aftësitë tona.”

Finalja në Champions dhe Europa League – “Diferenca mes të dyjave është në interesin dhe në rëndësinë e jashtëzakonshme që paraqet Champions. Të mbërrish në finale është shumë e vështirë, por ta luash një finale është një eksperiencë unike. Do të luajmë një ndeshje të madhe kundër një ekipi të madh. Menjëherë pas kësaj finale, jam i bindur se do të kem përsëri dëshirë të kthehem të luaj një tjetër si kjo. Jam shumë i lumtur që ndodhem në finale me këtë ekip, sepse djemtë kanë punuar në mënyrë të pabesueshme, e meritojnë të jenë këtu.”

Puna e Zidanit – “Shumë njerëz mendojmë se Zidan nuk kupton shumë nga taktika. Nuk çuditem, sepse kështu mendojnë dhe për mua. Por po them këtë tjetrën. Dy trajnerë që nuk ia kanë idenë e taktikës janë në finalen e Champions – e gjithë salla qesh. Për mua, Zidan është një ndër pesë lojtarët më të mirë të gjithë kohërave, mund të fitojë për të tretën herë radhazi Ligën e Kampioneve. Duhen më shumë? Ai është një trajner i shkëlqyer dhe skuadra e tij është si një orë zvicerane. Thënë të gjitha këto, në fund mbetet diçka dhe për rivalin, edhe ai do të ketë shanset e veta në këtë finale.”

Eksperienca e Realit – “Një sekondë para se të fillojë ndeshja, Reali do të jetë favorit. Por kjo nuk më shqetëson, sepse ndeshja nuk zgjat një sekondë. Ata janë të fortë, por ata nuk janë përballur me ne. Ne jemi një ekip i mirë dhe ky klub i ka në ADN-në e vet sukseset e mëdhenj. Ne jemi në finale sepse jemi Liverpuli. Eksperienca e Realit është një avantazh për ata, por në një ndeshje jo gjithnjë vendos eksperienca. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia ndërlikuar jetën. Nuk duhet të biem në grackën e lojës së tyre.”

Filozofia e Klopit – “Nuk e kam menduar ndonjëherë. Ne i përshtatemi vazhdimisht lojës së rivalit tonë. Rëndësi ka të jemi gati për finalen, sepse nuk ka më kohë për t’u menduar. Shanset? Janë të barabarta për të dy ekipet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *