Klop i shqetësuar përpara Arsenalit, mesfusha e Liverpulit “gjysmake”

Premier Liga do të zhvillojë nesër shumicën e ndeshjeve, të vlefshme për javën e 11-të. Do të kemi shumë përballje interesante, ku  sfida që vlen për t’u veçuar nga të gjitha është padyshim ajo midis Arsenalit dhe Liverpulit, e cila do të zhvillohet në orën 18:30, në stadiumin e “topçinjve”.

Të besuarit e Unai Emeri janë në vendin e katërt në kuotën e 22 pikëve, ndërkohë ekipi i Klop ka katër pikë më shumë dhe ndan kreun e renditjes me Mançester Sitin. “The Reds” i kanë bërë një nisje mjaft të mirë kampionatit, teksa janë ende të pamposhtur pas 10 ndeshjesh dhe do të provojnë të qëndrojnë të tillë edhe pas pasdites së nesërme.

Pikërisht për ndeshjen e nesërme në kampin e kuq kishte disa pikëpyetje për sa i përket lojtarëve që nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin gjerman. Ky i fundit në konferencën e sotme ka konfirmuar se mesfushorët Xhordan Henderson dhe Nabi Keita nuk kanë mundur të rikuperohen dhe do të mungojnë përsëri këtë javë.

Dy mungesa mjaft të rëndësishme për Klop, i cili duhet të bëjë pa kapitenin e ekipit dhe pa një nga blerjet më të rëndësishme të verës. Gjithsesi, alternativat nuk janë të pakta, pasi Fabinjo i ka ndezur motorrët që javën e shkuar, ku luajti titullar në sfidën ndaj Cervenës në Champions dhe në sfidën në kampionat ndaj Kardif, të dyja ndeshje të fituara me rezultatet respektive 4-0 dhe 4-1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *