Klop fiton një ndeshje të stilit “heavy metal”, para syve të tij feston “i tmerrshmi” Haland

“Më pëlqen një ndeshje e fituar në “Heavy metal”. Nuk jam për ndeshje të thjeshta, të qeta dhe që të vendosin në gjumë. Më mirë shkoj të shoh dhe luaj tenis kështu”, ishte një nga frazat e mrekullueshme të thëna nga Jurgen Klop.

Pikërisht një ndeshje të tillë ka arritur të fitojë në “Champions League” ndaj Salzburgut. Këta të fundit kishin fituar me rezultatin 6-2 ndaj Genk dhe kjo përballje e sotme tregoi se nuk ishte rastësi. Liverpuli arriti të shënonte tre gola fillimisht, duke krijuar përshtypjen se ishte një ndeshje me një fund të mbyllur.

Por miqtë arritën të barazonin gjithçka, për të shtuar emocionet. Goli i tretë do të vinte pikërisht nga Erling Haland, ylli i ri i futbollit europian. Tripletë kishte realizuar ndaj Genk, ndërsa sot e nisi nga stoli për shkak të dëmtimit.

Futet në fushë në minutën e 56 dhe realizon pas 4 minutash. Statistikat e tij janë 18 gola në 11 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon të ri. Shifra që flasin vetë për potencialin që vjen nga ky lojtar. Por historinë e kësaj ndeshje e ka mbyllur Salah në minutën e 66, për të fituar në shifrat 4-3. /Sport Ekspres/