Klop është i veçantë: Edhe shitësit e “hot dog” na duhen, kush hyn në “Anfield” të jetë në formë

Liverpul-Manchester City do të jetë kryendeshja e kësaj jave në “Premier League”, mes dy ekipeve që kërkojnë fitimin e kampionatit anglez. Skuadra e Klop e ka nisur shumë më mirë kampionatin, por përballë makinerisë së Guardiolës premtohet vetëm spektakli.

Nga ana tjetër, trajneri gjerman është i veçantë në llojin e tij edhe në deklaratat që jep. Më së miri e di se për të mposhtuar Manchester City-n, askush prej lojtarëve nuk duhet të jetë në gjendje të keqe. Madje duke kërkuar formë të mirë edhe te shitësit për “hot dog”.

“Do jetë ndeshje e madhe. Dy ekipe të mëdha që luajnë me njëri-tjetrën në Anfield. Duhet të tregojmë fytyrën më të mirë të dielën. Të gjithë në stadium duhet të jenë në supër formë. Madje edhe ata që shesin “hot dog”. Kushdo që do të hyjë në “Anfield” duhet të jap më të mirë. Është e rëndësishme për ne që të vendosim gjithë emocionet. Le të luajmë futboll”, ka thënë Klop. /Sport Ekspres/