Klauzola e Nejmarit tërbon francezët: Nuk ekziston!

Nejmari, PSG dhe Reali, një intrigë ndërkombëtare që do të pushtojë faqet e para të gazetave sportive anembanë botës këtë verë. Gjithnjë e më shumë po flitet se Nejmar i është premtuar Realit dhe tashmë është i bindur për t’u larguar nga Franca, aty ku shkoi për 222 milionë euro verën e shkuar, merr një pagë stratosferike dhe ka plot privilegje, por nuk ka gjetur atë që priste, sepse PSG edhe këtë vit dështoi në Champions League, ndërsa kampionati francez është tepër modest.

Tani në Spanjë janë të bindur se Nejmari po kërkon kalimin te Reali. Asnjë deklaratë zyrtare, por gjeste të vogla që flasin vetë, duke nisur nga largimi për në Brazil për të kuruar dëmtimin e deri te shmangia e kthimit qoftë edhe për festën e titullit kampion.

Sot El Pais shkruan se Nejmar ka në kontratë një klauzolë për prishjen e saj, me çdo klub që paguan 300 milionë euro të lirë ta marrë yllin brazilian, por klauzola hyn në fuqi prej 1 shtatorit.

Liga franceze ka reaguar me një deklaratë për shtyp, ku ka mohuar prerë ekzistencën e ndonjë klauzolë të tillë, pasi me rregulloren e futbollit francez ndalohen në kontrata klauzola për prishjen e kontratës.

Nëse ekziston klauzolë e tillë, PSG dënohet, por edhe klubi francez ka mohuar çdo klauzolë në kontratën e Nejmarit, duke ftuar Realin që të bëjë ofertë, nëse e do brazilianin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *