Klauzola aspak problem, Dortmund kërkon mesfushorin e Belgjikës

Merkato në Kinë për Borusian e Dortmundit. Gjermanët kërkojnë një mesfushor për përforcimin e skuadrës dhe objektivi i tyre është Aksel Vitsel. Lojtari i kombëtares belge aktivizohet me Tianjin Kuanjan dhe është gati për t’u rikthyer në Europë. Ai dëshiron të jetë sa më afër shtëpisë, por e tundon dhe ideja për të luajtur në “Champions League”.

Klauzola e mesfushorit 29-vjeçar është 20 milionë euro dhe drejtuesit e Borusias janë gati për të paguar një shumë të tillë. Vitsel zhvilloi një Botëror cilësor dhe ishte vetëm një hap larg finales së madhe me Belgjikën e tij. Në fund e mbyllën të tretët duke fituar medaljen e bronztë.

Trajneri i Tianjin, Paulo Soza, në konferencën e shtypit para ndeshjes së nesërme përballë Shangai SIPG, u shpreh se nuk ka dijeni për largimin e mesfushorit dhe e pret atë të kthehet nga pushimet. Diçka e tillë vështirë të ndodhë, pasi Dortmund e ka vendosur të paguajë 20 milionë euro dhe Vitsel është gati për të ndërruar kontinent.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *