Klaus Gjasula tregon modelin gjerman: U kthyem në stërvitje, Bundesliga do të nisë në maj

Gjermania ka hedhur e para hapin dhe i ka lejuar klubet e futbollit që të stërviten në fushën e blertë. Normalisht që seancat nuk janë të njëjta si më parë, pasi këtë herë kryhen duke ruajtur masat e sigurisë ndaj Covid-19. Në lidhje me këtë ka folur edhe “gladiatori“ i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula. Mesfushori i Paderbornit në “Bundesligë“ ka dhënë një prononcim me gazetarin Edi Manushi në “E Diell”, ku tregon edhe mënyrën se si ekipi i tij po kryen përgatitjet. Gjasula tregon se për lojtarët do të kryhen vazhdimisht teste për Koronavirusin, ndërsa shprehet optimist për rifillimin e sezonit në Gjermani. Sipas tij shenjat janë të mira për të parë sërish futboll në fillim të majit.

“Të hënën filluam stërvitjen me grupe, gjithnjë me 6 lojtarë dhe një trajer. Kështu që të mos jetë i gjithë ekipi bashkë dhe të ketë vend në fushë që të jesh i distancuar nga lojtarët e tjerë. Ne kemi bërë 4 dhoma për t’u ndërruar ku janë nga 5-6 lojtarë në çdo dhomë që të mos jenë afër . Tani ne gëzohemi që falë zotit filloi stërvitja prapë. Kjo tregon që situate është liruar pak dhe shpresojmë të vazhdojë kështu.

Një herë e kemi bërë testin deri tani. Vetëm njëri rezlutoi pozitiv, gjithë të tjerët ishim negativ. Tani do të bëhet një rregull ku cdo javë do i bëhen nga 2 ose tre testime lojtarëve dhe trajnerëve për të ditur kush është i prekur apo cila është situata e ekipit. Më pas ai që do të rezultojë pozitiv do të izolohet për dy javë, por lojtarët e tjerë do të vazhdojnë stërvitjen se nuk qendrojnë afër njëri-tjetrit dhe nuk e transmetojnë virusin. Kur do të fillojë ndeshja e parë? Unë besoj se në fillim majit“, ka deklaruar Klaus Gjasula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/