“Kjo, paraqitja më e dobët”, Sarri i jep dorën tifozit dhe ua plas në fytyrë lojtarëve!

Pas një fillimi shumë të mirë të sezonit, Çelsi ka filluar të ngecë dhe jeta e Mauricio Sarrit ka filluar të bëhet më e vështirë. Humbja 4-0 kundër Buremuthit në transfertë nuk ka nevojë për koment. Trajneri italian ka vendosur të bëjë një takim pas fundit të ndeshjes.

Asnjë pjesëtar i stafit, vetëm ai dhe lojtarët. Siç raporton “The Sun”, Sarri ka shpërthyer në kritika kundrejt yjeve të skuadrës, duke i akuzuar ata se nuk kanë ndjekur udhëzimet e tij. 50 minuta bisedë me lojtarët, aty ku gjithçka është thënë në sy me tone aspak të qeta.

Në një prononcim për “Daily Mail”, Azpilikueta ka treguar situatën e vështirë që po kalon ekipi. “Me trajnerin i kemi thënë gjërat në sy si burra. Jemi shumë të zemëruar dhe duhet të gjejmë menjëherë zgjidhje. Është e papranueshme për Çelsin një humbje 4-0.

Pasi ka thënë gjithçka lojtarëve në sy, Sarri ka vendosur të niset drejt Londrës i vetëm. Trajneri nuk ka udhëtuar me autobusin e ekipit, ka marrë një ndihmës të vetin dhe është nisur me makinë për në shtëpi.

Një tifoz i trishtuar për humbjen e thellë ka patur disa fjalë për t’i thënë trajnerit. “Kjo është performanca më e keqe e Çelsit që kam parë ndonjëherë”, është shprehur tifozi, ndërsa Sarri i ka zgjatur dorën dhe i ka kërkuar falje. Atmosfera është e zymtë, ndërsa nesër “Blutë e Londrës” presin Hadërsfilldin në shtëpi. Ekipi nuk ka alternativa. Kjo ndeshje duhet fituar me çdo mënyrë, për të rikthyer qetësinë dhe ekipin në garë për një vend në Champions Ligë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *