Kishte shansin e artë të debutimit/ Sarri heq dorë nga Vrioni, talenti kuqezi me shpresën nga Xhenoa

Sarri ka hequr dorë nga Xhakomo Vrioni ditën e sotme, teksa nuk e ka grumbulluar në 20 futbollistët që do të ketë në dispozicion në ndeshjen e mbrëmjes kundër Leçes. Megjithëse ka qenë në stolin e Juventusit për 3 ndeshjet e fundit, këtë herë nuk është preferuar nga trajneri i bardhezinjve.

Kjo e sotmja shihet si shansi i artë për debutimin e talentit kuqezi me fanellën e Juventusit, por nuk ka rezultuar e tillë. Nëse në ndeshjet e Kupës nuk kishte vend për gabime, si dhe ndaj Bolonjës duheshin më të mirët për të larguar kritikat dhe për të vijuar hapin e duhur në rrugën drejt titullit, sot situata është më ndryshe. Një ekip i lehtë në letër, si dhe shkëputja në +4 pikë ndaj Lazios e bën “zonjën e vjetër” më të qetë ndaj Leçes.

Gjithashtu përflitej nga mediat italiane se Sarri mund të linte pushim Ronadon në përballjen e sotme, ndërsa Higuain sapo ka lënë pas dëmtimin dhe ndoshta nuk ka arritur formën e duhur. Të gjitha këto së bashku krijonin mundësinë perfekte për debutimin e Vrionit për disa minuta. Megjithatë sulmuesi shqiptar tashmë i mban shpresat në ndeshjen e radhës më 30 qershor kundër Xhenoas. Këta të fundit nuk pozicionohen mirë në tabelën e renditjes dhe një fitore e sotmja e Juventusit do të krijonte më tepër qetësi në radhët e bardhezinjve, duke bërë që mundësitë për disa minuta me fanellën e gjigantëve italianë në fushën e lojës mund të vijnë për Xhakomo Vrionin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *