“Kishte edhe Xhakomo Vrionin në stol”! Prestigjozja italiane kritika për Sarrin: Barcelona e fut Ansu Fatin

Nga Klaudio Ndreca

Mediat italiane kanë nisur me kritika ndaj trajnerit të Juventusit, Sarrit, pas humbjes së Kupës së Italisë ndaj Napolit. Këtë herë është “Gazzetta.it” që shkruan një artikull ku në kryeqendër të vëmendjes është hapësira e pakët që jep ky teknik për të rinjtë e Juventusit.

Në përballjen e humbur ndaj skuadrës së Gatuzos, bardhezinjtë kanë bërë pa 4 futbollistë kryesorë si: “Chiellini, Demiral, Higuan dhe Khedira”. Këto ishin mungesat e kampionëve të Italisë që do të ndikonin edhe në lojën e skuadrës.

Ndërkohë disa prej atyre që përfshihen në palën mbrojtëse të Sarrit janë shprehur se pankina e Juventusit nuk ka lënë mundësi për zgjedhje ndaj Napolit. Pikërisht për këtë arsye, “Gazzeta.it” e ka hapur artikullin me titullin: “Juventusi me listë të shkurtër të lojtarëve? Muratore dhe Xhakomo Vrioni ishin në pankinë, ndërsa te Barcelona luan Ansu Fati”.

Pra një shembull për të treguar sesi në ekipet e tjera të mëdha i besohet futbollistëve që vijnë nga akademia për të shpalosur talentin e tyre. Madje edhe duke përmendur se Bajerni arriti të fitonte titullin kampion ndaj Werderit me një 19-vjeçar si Alfonso Davies në fushën e lojës. Gjithashtu media sportive italiane shkruan se Juventusi ka një moshë mesatare të lartë të lojtarëve dhe për këtë arsye duhet që t’i jap më tepër hapësirë talenteve, që në momente të tilla mund të zënë vendin e titullarëve që mungojnë për shkakun e dëmtimeve. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *