“Këshilltarët e Ramës nuk e kanë qejf futbollin”, reagimi i Dritan Shakohoxhës për braktisjen dhe mos mbështetjen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e bëri të qartë se nga qeveria nuk do të ketë vëmendje sa i përket sportit në këto kohë të vështira. Klubet shqiptare nuk do të mbështeten financiarisht nga shteti ynë në mënyrë që ta përballojnë sa më lehtë këtë krizë që po kalojnë, duke i lënë kështu në një det të trazuar. Ndërkohë në lidhje me këtë temë ka folur edhe komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha, i cili për emisionin “Fan Zone” në “Supersport” është shprehur se nuk e priste aspak një përgjigje të tillë nga kryeministri Rama. Sipas tij të paktën të ishte ndjekur shembulli i Kosovës, ndërsa ironizon me fjalët se futboll nuk luan vetëm Ronaldo, por ka dhe lojtarë të tjerë që paguhen shumë pak e presin me padurim fundin e muajit për të marrë rrogën e tyre.

“Nuk e prisja këtë lloj përgjigje nga Rama, më së paku pritej një mbështetje si ajo në Kosovë ku ka më pak banorë dhe mundësi dhe e dhanë një fond nga buxheti për sportin. Mesa duket njerëzit që e këshillojnë Ramën nuk e kanë shumë qejf futbollin. Këtu nuk po flas vetëm për mbështetje të futbollit, por sportit në tërësi. Nuk e prisja këtë lloj përgjigje. Nëse paraqiten si fasone këto klube, atëherë ti paguaj për fason. Ajo që duhet të kuptohet është se nuk luan vetëm Ronaldo futboll, ka edhe lojtarë që nuk paguhen nga 3000 euro dhe mezi e presin atë rrogën në fundin e muajit”, ka thënë Shakohoxha./Sport Ekspres/