Këshilli Bashkiak tallet për katër orë, Vllaznia mbetet pa busull

Vllaznia mbetet në udhëkryq. Kur ka kaluar më tepër se një muaj nga rënia në Kategorinë e Parë, klubi mbetet pa orientim për të ardhmen, pa një projekt sportiv dhe mbi të gjitha pa drejtues përgjegjës. Ky ishte edhe rezultati i mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Shkodër, nga i cili pritej shumë, por që në fakt vazhdon të mos bëjë asgjë për ti shërbyer klubit.

Katër orë zgjati mbledhja e kësaj të premte, 29 qershor. Përfundimi: asnjë rezultat. Përveç miratimit të pasqyrave financiare për vitin 2017, të parashikuara në rendin e ditës, asgjë më tepër. Asnjë kandidat konkret se cili do të jetë administrator i ri i klubit, pas largimit të Arstrit Gjyrezit. Asnjë konfirmim, shkarkim apo plotësim i Këshillit Mbikqyrës, që në situatën aktuale nuk mund të kryejë funksionet normale.

Këshilli Bashkiak vazhdon të mos i japë një drejtim konkret situatës te Vllaznia. Shpesh dhe me vullnet të plotë, anëtarët e kthejnë në mjet lufte politike për forcat që përfaqësojnë. Të tilla ishin edhe katër orët e mbledhjes së fundit, ku nuk munguan akuzat dhe tonet e ashpra ndërmjet kryebashkiakes Voltana Ademi dhe këshilltarit Nurja.

Në diskutimet për largimin e Vllaznisë nga elita e futbollit shqiptar u fajësuan administratori i larguar dhe stafi i kaluar teknik, ndërsa u fol edhe për procesin e privatizimit të klubit, ku një pjesë e të pranishmëve u shprehën kundër në kushtet në të cilat ndodhet ekipi. Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi kërkoi një tjetër mbledhje të Këshillit Bashkiak për të përcaktuar piketat për të ardhmen e klubit.

Praktikisht të gjithë flasin dhe akuzojnë, por askush nuk jep zgjidhje konkrete dhe të shpejta. Klubi mbetet ende pa zgjidhje për problemet e së kaluarës, siç është çështja e pagesave të padhëna për lojtarët, por edhe për problemet e të tashmes dhe të ardhmes së afërt, për sa i takon riorganizimit të skuadrës dhe krijimin e një projekti sportiv, për ta kthyer sa më shpejt Vllazninë në vendin që i takon.

Ajo që në Shkodër ende nuk po e kuptojnë është se burokracitë institucionale të zakonshme në Shqipëri, apo betejat me sfond politik, që shoqërohen me luftë nervash dhe zvarritje të pafundme, nuk janë asgjë tjetër veçse një “dënim me vdekje” për të ardhmen sportive të klubit më të vjetër shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *