Kepa: Nuk e ndjej presionin e 80 milionëve, mbetem tifoz i Bilbaos

Kepa Arrizabalaga është portieri më i shtrenjtë i historisë së futbollit. 23-vjeçari la Atletiko Bilbaon për t’u transferuar në Angli te Çelsi, që pagoi 80 milionë euro për kartonin e tij. Në një prononcim për “AS”, Kepa flet për ekipin e ri, duelin me De Gean në kombëtaren e Spanjës dhe klubin e tij të zemrës, Atletik Bilbaon.

Portieri më i shtrenjtë – “Nuk e ndjej presionin. Përqendrohem te vetja ime dhe mendoj vetëm për të luajtur. Jam paguar kaq shumë, sepse kjo është merkato dhe sot çmimet janë rritur dhe janë bërë një gjë normale. Ndihem shumë i vlerësuar, jam pjesë e një ekipi të madh, që ka fituar Premier Ligën, Champions Ligën dhe Europa Ligën gjatë viteve të fundit. Në ekip luajnë futbollistë të mëdhenj, jam i lumtur që ndodhem këtu dhe dua të shfrytëzoj këtë shans.”

Kombëtarja dhe rivaliteti me De Gean – “Duhet të pyesni trajnerin për diçka të tillë, por unë dua të punoj fort. Është e qartë që të gjithë duan të luajnë, por Luis Enrike do të vendosë për të mirën e skuadrës, ndërsa unë do të përpiqem të bëj një sakrificë më tepër për të mirën e grupit.”

Përshtatja – “Jam i lumtur, klubi ka bërë një sforco të madhe për të më sjellë këtu dhe mezi pres të ja u shlyej në fushën e blertë besimin e treguar. Njihja më parë Moratën dhe Azpilikuetën, të cilët më kanë ndihmuar shumë të përshtatem.”

Atletik Bilbao – “Jemi profesionistë dhe çdokush nga ne zgjedh rrugën e tij. Bilbao ka qenë gjithmonë shtëpia ime dhe do të jetë klubi im i zemrës. Jam tifoz i Atletik që kur isha fëmijë dhe isha 9 vjeç, kur u bëra pjesë e klubit. I kuptoj tifozët që kërkojnë qëndrimin e lojtarëve të mirë në ekip, por jam unë ai që i marr vendimet e mia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *