Këmbana që bien për De Ligt, Bonuci: Juventusi nuk mund të pësojë kaq shumë gola

Juventusi humbi mbrëmjen e djeshme kundër Lacios me rezultatin 3-1, duke mos arritur të përfitojë nga hapi i gabuar i Interit për të rimarrë kreun. Por problemi më i madh i Juventusit të këtij sezoni është fakti se bardhezinjtë po çalojnë në atë që dikur ishte edhe pika më e fortë, në mbrojtje. Dëmtimi i Kielinit ka lënë një boshllëk në praavijë, që De Ligt nuk po arrin ta mbushë dot deri në këto moment. Shumë pasiguri dhe polemika të shkaktuara prej tij këtë sezon, kanë bërë që mbrojtja juventine të mos funksionojë si dikur.

Mangësitë në mbrojtje i nxjerr në pah edhe vetë kapiteni i “zonjës së vjetër”, Leonardo Bonuci, që në një prononcim për “DAZN” shprehet se një skuadër si Juventusi nuk mund të pësojë kaq shumë.

“Ne duhet të përmirësohemi, kjo është e qartë, pasi një skuadër si e jona nuk mund të pësojë kaq shumë gola. Duhet të rizbulojmëatë aftësi për të vuajtur në momentet kur jemi nën presion. Është gjithçka mirë të krijosh një futboll të bukur, por gjithashtu na nevojitet ajo vendosmëri dhe uri për të shmangur pësimin. Rruga jonë është e qartë, është në dorën tonë për të dhënë gjithçka në fushë”, ka thënë Bonuci./Sport Ekspres/